
Gjermania ka zbuluar virusin e hepatitit A në një përzierje të ngrirë manaferrash nga Serbia, njoftoi Sistemi Evropian i Alarmit dhe Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF). Ky virus shkakton hepatit viral të tipit A, ose verdhëz infektive të tipit A.
Si pjesë e kontrollit zyrtar të tregut, në një mostër të marrë më 20 prill të këtij viti, autoritetet gjermane identifikuan mikroorganizma patogjenë – virusin e hepatitit A në një përzierje të ngrirë manaferrash me origjinë nga Serbia, sipas një deklarate të RASFF, raporton “Oranews”.
Rreziku shëndetësor u vlerësua si serioz dhe produkti thuhet se u tërhoq nga tregu dhe nga konsumatorët.
Kjo nuk është hera e parë që virusi i hepatitit A është zbuluar në frutat e ngrira nga Serbia.
Sipas të dhënave të RASFF, një rast i ngjashëm u regjistrua më 10 korrik 2025, kur Gjermania gjeti gjithashtu të njëjtin virus në frutat e ngrira manaferrash të importuara po nga ky vend.
Gjithashtu, në gusht 2022, virusi i hepatitit A u gjet në frutat e ngrira nga Belgjika, me Serbinë e listuar si një nga katër vendet e origjinës së frutave.