Mjekja nga Taxhikistani dhuron të hollat e haxhillëkut për luftën kundër Covid-19.
Shirin Nazirmadova, mjeke nga pjesa jugore e Taxhikistanit, qe disa vjet ka kursyet të holla për ta paguar shumën që nevojitet për haxhillëk, një nga kushtet kryesore për besimtarët myslimanë.
Megjithatë, si për miliona njerëz të tjerë, ëndrra e saj u shua kur Arabia Saudite vendosi muajin e kaluar që t’ua ndalojë pelegrinazhin e famshëm shtetasve të huaj këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet saudite morën vendim që vetëm një mijë persona – të gjithë banorë vendës – do të lejohen për ta kryer haxhillëkun këtë vit. Pelegrinazhi fillon më 28 korrik dhe përfundon më 2 gusht.
Të gjithë personat duhet të jenë nën moshën 65-vjeçare dhe ta bëjnë testin për koronavirus para se të futen në vendet e shenjta për myslimanët, më saktësisht në qytetet Mekë dhe Medine.
Nazirmadova, 60 vjeçe, tha se nuk do të presë edhe një vit për mundësinë e kryerjes së haxhillëkut që shpresonte ta bënte këtë vit.
Në vend të kësaj, të hollat e kursyera për haxhillëk tashmë ia ka dhuruar një spitali lokal për të blerë materiale të nevojshme mjekësore për luftën kundër koronavirusit.
Spitali i përdori këto të holla për të blerë pajisje mbrojtëse personale për stafin dhe ilaçe për pacientët. Shumë spitale në shtetin e varfër të Azisë Qendrore, ku jetojnë rreth 9.5 milionë njerëz, kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse për mjekët.
Si mjeke me përvojë, Nazirmadova është në vijën e frontit gjatë luftës kundër sëmundjes së re. Kështu, në vend të pelegrinazhit, ajo do të jetë në spital duke i trajtuar pacientët me Covid-19 dhe të sëmurët e prekur nga sëmundjet e tjera.