Shumë persona kanë humbur jetën pas tërmetit në Shqipëri.
Aderina Kabili ishte vetëm 21-vjeçe. Ajo punonte në fasoneri dhe çdo ditë në orën 05:30 të mëngjesit nisej për në punë.
E reja nga Thumana shkoi për të fjetur mbrëmjen e së hënës, pa e ditur se të nesërmen në mëngjes nuk do të zgjohej më.
Në moshën më të bukur dhe me një të ardhme përpara, Aderina u shua tragjikisht nga tërmeti i së martës. Ajo ishte në gjumë. Babai i saj, Haxhi Kabili kishte shkuar ta zgjonte përpara lëkundjeve vdekjeprurëse të orës 03:54 minuta, por Aderina, ndoshta e lodhur nga një ditë më parë, nuk u zgjua.
Në një rrëfim të dhënë për tvklan, vetëm pak përpara se trupi i saj i pajetë të gjendej poshtë rrënojave, babai i saj 52-vjeçar tregoi se kur kishte hapur derën ku flinte e bija, gjithçka kishte përfunduar.
Haxhi Kabili arriti të shpëtonte bashkëshorten dhe një fëmijë të fqinjëve, por jo vajzën e tij. Vetëm pak çaste pas tërmetit ai kërkonte i dëshpëruar për të bijën, ashtu sikurse edhe një ditë më pas, por këtë herë i dorëzuar me faktin se e bija nuk jetonte më.
Trupi i Aderinës u gjet orët e vona të së mërkurës nga gërmadhat e pallatit 5 katësh, ndërsa këtë të enjte në orën 14:00 ajo u përcoll për në banesën e fundit.
Kjo vajzë e re e plot jetë u shua së bashku me dhjetëra të tjerë, nga lëkundjet tragjike të 26 Nëntorit.