Atletico Madridi duket se do të rivalizojë Milanin në garën për të nënshkruar me Armando Brojën.
21-vjeçari ishte shumë i lidhur me një largim nga Chelsea në verë. Sulmuesi shqiptar bëri përshtypje pozitive teksa ishte i huazuar në Southampton sezonin e kaluar.
Sipas “football .london” Atletico Madrid është skuadra e radhës që kërkon shërbimet e shqiptarit, transmeton lajmi.
Broja, i cili së fundmi nënshkroi një marrëveshje të re që e mban atë në “Stamford Bridge” deri në vitin 2028, ka startuar vetëm një herë për “blutë” këtë sezon, por paraqitjet e tij kanë tërhequr interesimin e skuadrave të mëdha si Milani dhe Atletico Madridi.
Skuadra e Diego Simeones po planifikon që të sjellë në skuadër sulmues të rinj dhe të talentuar për shkak se numri i golave të shënuar deri në këtë pikë të sezonit është shumë i vogël.
Në raport thuhet se Broja është një nga emrat në listën e Atleticos, ndërsa “Calcio Mercato” shton se shefi i Milanit Frederic Massara ka qenë në kontakt me përfaqësuesit e shqiptarit në disa raste gjatë javëve të fundit.
Thuhet se gjigantët italianë dhe Chelsea kanë diskutuar për të ardhmen e Brojës. Interesimi i skuadrave të mëdha ka bërë që Chelsea të rrisë kërkesat dhe çmimin me të cilin vlerësohet Broja është 35 milionë euro.