
Edicioni i ri i Big Brother VIP Kosova pritet të nisë shumë shpejt, ndërsa ethet për të mësuar se cilët do të jenë banorët e rinj tashmë kanë filluar.
Edhe pse produksioni nuk ka bërë ende të ditur zyrtarisht kastin e këtij edicioni, në media kanë nisur të qarkullojnë emra dhe profile të ndryshme të personazheve që mund t’i bashkohen shtëpisë më të komentuar në vend.
Gazetari Agon Rexhepi ka zbuluar disa detaje interesante rreth banorëve të mundshëm, duke përmendur rreth dhjetë profile që, sipas informacioneve të tij, mund të jenë pjesë e edicionit të ri.
Rexhepi ka bërë të qartë se nuk dëshiron të zbulojë emrat konkretë, por ka dhënë disa detaje për secilin prej personazheve, duke bërë që publiku të nisë menjëherë të hamendësojë se për kë bëhet fjalë.
“Unë emra nuk po them, veç po du me tregu profile, ku aty-këtu mund ndonjë iniciale të emrave”, ka thënë ai.
Sipas tij, njëra prej banoreve të mundshme është një tiktokere nga diaspora.
Ajo është një figurë e njohur në rrjetet sociale dhe, nëse konfirmohet pjesëmarrja e saj, do të ishte një tjetër personazh i gjeneratës së rrjeteve sociale që i bashkohet këtij formati.
Në listën e mundshme është edhe një këngëtar i cili ka kaluar moshën 55-vjeçare.
Krahas tij, Rexhepi ka përmendur edhe një këngëtare të muzikës popullore, e cila është rreth të 50-ave. Përfshirja e dy artistëve me përvojë të gjatë në muzikë do të mund të sillte një tjetër atmosferë brenda shtëpisë.
Një prej profileve më interesante është edhe ai i një moderatoreje shumë të njohur, të cilën Rexhepi e ka përshkruar si “jashtëzakonisht të bukur”.
Sipas tij, ajo nuk është pjesë e ekranit prej rreth një ose dy vitesh. Rikthimi i saj në televizion përmes Big Brother VIP Kosova do të mund të ishte një nga hyrjet më të komentuara të këtij edicioni.
Po ashtu, gazetari ka përmendur një reper të ri në moshë, por që tashmë ka arritur një sukses të madh në skenën muzikore. Për të, Rexhepi ka dhënë edhe një detaj interesant, duke thënë se ka pasur “diss-e” me disa prej emrave të njohur të repit shqiptar, mes tyre edhe Fero dhe Don Xhoni.

Një tjetër personazh që mund të jetë pjesë e kastit është një gazetare, për të cilën Rexhepi ka treguar se është në një farë mënyre reja e një këngëtareje të famshme.
Ky detaj ka ngjallur mjaft kureshtje, pasi identiteti i saj nuk është bërë i ditur qartë.
Në mesin e banorëve të mundshëm është edhe një influencer që është bërë i njohur pikërisht duke imituar influencerë të tjerë.
Profili i tij është tashmë i njohur në rrjetet sociale, ndërsa pjesëmarrja në Big Brother VIP Kosova do të mund ta kthente atë në një nga personazhet më të komentuar të këtij edicioni.
Rexhepi ka përmendur gjithashtu një këngëtar, i cili është bërë i njohur për lëvizjet e tij karakteristike.
Në këtë rast, ai ka përmendur mbiemrin Bejta, duke lënë një tjetër indicie për identitetin e mundshëm të banorit.
Lista vazhdon me një profesoreshë, të cilën gazetari e ka përmendur me emrin Kaltrina, ndërsa personazhi i fundit i listës është një regjisore.
Kështu, nëse këto informacione rezultojnë të sakta, edicioni i ri i Big Brother VIP Kosova mund të sjellë në një shtëpi persona me profesione dhe prejardhje të ndryshme, nga këngëtarë e reperë, te gazetare, moderatore, influencerë, profesoreshë dhe një regjisore.
Megjithatë, përkundër detajeve të dhëna, Agon Rexhepi ka qenë i kujdesshëm që të theksojë se asnjëri prej këtyre emrave nuk është konfirmuar zyrtarisht.
“Për hir të korrektësisë, këta emra nuk janë të konfirmuar”, është shprehur ai.
Tashmë mbetet të shihet nëse profilet e përmendura do të rezultojnë të sakta dhe cilët prej tyre do të shfaqen vërtet në natën e parë të spektaklit.
Deri në konfirmimet zyrtare, publikut i mbetet vetëm të spekulojë dhe të presë me kuriozitet startin e edicionit të ri./ORAinfo/
