Gjoshi kërkon emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ

14:00 | 29 Prill 2026
guri-i-trepces-per-trumpin,-gjoshi-i-pdk-se-kritikon-kurtin-dhe-osmanin:-tragjikomike

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka reaguar lidhur me përbërjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke kërkuar që ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës të nënshkruajë dekretin për emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

Me anë të shkrimi në Facebook, Gjoshi ka thënë se Kosova po hyn në zgjedhje dhe se, përveç shpalljes së datës së zgjedhjeve, duhet të bëhet edhe emërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së në institucionin që administron procesin zgjedhor.

“Mosemërimi i përfaqësuesit të PDK-së do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës, por edhe dëmtim i përfaqësimit opozitar në institucionin e zgjedhjeve dhe rrezikim i legjitimitetit të zgjedhjeve”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë mbajtur për Kuvendin e Kosovës dhe jo për KQZ-në, duke theksuar se pas zgjedhjeve në Kuvend kanë hyrë katër grupe parlamentare.

Ai ka argumentuar se, në mungesë të gjashtë grupeve parlamentare shqiptare, anëtarët shtesë në KQZ duhet të emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që sipas tij janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Në rrethana të tilla, meqenëse pas këtyre zgjedhjeve në Kuvend ishin vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare”,shtoi Gjoshi transmeton Klankosova.tv.

Gjoshi theksoi se Kosova ka nevojë për “zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranuara nga të gjithë akterët politikë dhe qytetarët”, duke paralajmëruar se legjitimiteti i procesit mund të vihet në pikëpyetje nëse KQZ-ja përdoret për qëllime politike.

“Askush nuk duhet që të shfrytëzojë KQZ-në për të arritur qëllime politike përmes përfaqësimit jokushtetues”, deklaroi sekretari organizativ i PDK-së.

Komento: