Nis “gjuetia” e partive.
Dy ditë para shpërndarjes së Kuvendit subjektet politike janë mobilizuar për të gjetur partnerë për koalicionet parazgjedhore. AAK-ja dhe PSD-ja të hënën kanë bashkuar forcat në një koalicion parazgjedhor, teksa tentativa për një gjë të tillë pati edhe nga kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili u takua me Shpend Ahmetin e PSD-së dhe me Fatmir Limajn e Nismës.
Ende pa u shpërndarë Kuvendi i Kosovës subjektet politike kanë filluar “gjahun” për t’i gjetur partitë me të cilat mund t’i përafrojnë qëndrimet e tyre. Koalicioni i parë parazgjedhor ndodhi të hënën, dy ditë para shpërndarjes së Kuvendit, mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) së Ramush Haradinajt dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, parti këto që u zotuan se i bashkuan forcat për t’i fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme, shkruan gazeta “Zëri”
Madje krerët e të dyja partive theksuan se i mirëpresin edhe bisedimet me dy partitë e tjera më të vogla, me Nismën e me AKR-në, duke mos përjashtuar mundësinë e zgjerimit të koalicionit. Përpos marrëveshjes së arritur mes AAK-së dhe PSD-së, të hënën pati edhe takime tjera mes subjekteve politike. Kreu i partisë opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së) Isa Mustafa ftoi në takim kreun e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limajn, si dhe kryetarin e PSD-së Shpend Ahmetin, por jo edhe kreun e AAK-së, kryeministrin në detyrë Ramush Haradinajn.