“Gjuhë thelbësisht e korruptuar” – Latifi për deklaratën e Bashës se Kuvendi është shtëpi e tij

16:00 | 21 September 2022

Në një shpërthim verbal ndaj kreut të SBAShK-ut, Rrahman Jasharajt, deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, tha se Kuvendi është “shtëpia e tij”, dhe se për sa kohë është dhe flet aty “ti [Jasharaj] veç duhesh me ngu”.

Një gjuhë e tillë e deputetit problematik ka marrë vëmendjen edhe të profesorit universitar dhe filozofit Blerim Latifi, i cili deklarimin e Bashës se “unë jam këtu n’shpinë time”, e quajti thelbësisht “gjuhë të korruptuar”.

Latifi e ka një shpjegim se si një gjuhë e tillë shpërfaq një të vërtetë rreth asaj se si politikanë e zyrtarë i trajtojnë postet dhe institucionet politike.

“I trajtojnë si diçka që u përket atyre”, shkroi Latifi.

“Si njëlloj prone, me të cilën mund të sillen siç ua do qejfi. Sepse kur je në shtëpinë tënde, ti sillesh bash qysh ta do qejfi, pa i dhënë llogari askujt”.

Një gjuheje të tillë, sipas Latifit, duhet kujtuar një gjë krejtësisht elementare, “që quhet edukatë demokratike”.

“Kuvendi nuk është shtëpi e deputetëve, por institucion ku përmes tyre përfaqësohen qytetarët”, konstatoi filozofi.

“Sa shumë kanë nevojë njerëzit në këtë vend për kurset e edukatës qytetare. Të mëdhenj e të vegjël. Pa përjashtim”, përfundoi ai.

Deputeti Dimal Basha, u bë show mediatik në britma e piskama senzacionale ndaj Rrahman Jasharajt se “po i mban peng fëmijët për 100 euro”, dhe akuzoi se “ke kthyer dinjitetin në para”, ndonëse vetë qëndron dinjitetshëm për nga financat (shih deklarimin e tij të pasurisë).

Basha, për më tepër, ka qenë edhe tejet kritik për atë çfarë ai e beson të jetë cilësi e dobët në arsim, ndonëse përnga arsimimi i tij nuk shquhet për i ndritshëm në performancat e tij publike.

Ky deputet krekoset për mbarim të studimeve në një universitet amerikan (të 478’të për nga cilësia në ShBA), dhe ia mban vetes për të shkolluar, ndonëse gjuha e tij e shkruar dhe e folur shqipe korrespodon pak ose aspak me rezultatet e proklamuara.

Kohëve të fundit iu publikuan edhe notat e kohës së tij të gjimnazit, ku vlerësimet ndaj tij ishin bukur nën mesatare, me nota maksimale vetëm në Edukatë Fizike, Mbrojtje dhe gjuhë angleze.

Basha kishte marrë notën 1 në Logjikë.

Komento: