Gjuriq flet për ndërhyrjet e mundshme të ROSU-s në veri

16:43 | 25 Dhjetor 2018

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko i përgjigjet KFOR-it, duke kritikuar më pas ekipin negociator të Kosovës.

Gjuriq e ka quajtur të pasaktë deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it, Vincenzo Grasso se ROSU mund të hyjë në veri të Kosovës pa lejen e KFOR-it.

Ai ka thënë se në të gjitha marrëveshjet mes palës sebe dhe kosovare, çfarëdo grupi i armatosur nuk mund të hyjë në veri të Kosovës pa pajtimin e komuniteteve lokale.

“Kjo është marrëveshje e arritur, e vendosur më 2013, kur u nënshkrua marrëveshja e Brukselit. Unë e kuptoj se struktura të caktuara ndërkombëtare në Kosovë munden ose kanë nevojë t’i mbështesin shqiptarët në Prishtinë për të ruajtur nivelin e mbështetjes dhe autoritetin e tyre, por kjo nuk do të thotë se gjithçka që është thënë të jetë kokrrekte, dhe nuk është hera e parë që vjen diçka e tillë nga kjo adresë, e që është e pasaktë”, deklaroi Gjuriq për “TV Prva”, transmeton lajmi.net.

I pyetur në lidhje me përbërjen e ekipit negociator të Prishtinës ku presidenti Hashim Thaçi do t’i udhëheq bisedimet, ndërsa pjesë e ekipit janë edhe Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, Gjuriq ka thënë se një përbërje e tillë u shërben “për nderë”.

“Në Serbi nuk ka njerëz që në atë mënyrë i kanë duart e gjakosura në jetën publike dhe kjo dëshmon se ata nuk janë të interesuar të bisedojnë në mënyrë serioze, të arrijnë marrëveshje për çfarëdo kompromisi në të ardhmen. Kjo është dëshmuar edhe me taksën diskriminuese, por prapë paraqet zgjedhjen e tyre, unë vetëm them se në këtë mënyrë punojnë kundër të ardhmes së shqiptarëve dhe serbëve”, përfundoi ai.

Komento: