Kosova me 6 tetor do të ketë zgjedhje.
Marko Gjuriq u ka bërë thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Serbët duhet të qëndrojnë pranë Listës Serbe dhe të marrin pjesë bashkërisht në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, ka thënë i ashtuquajturi Drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ai për “RTS” ka deklaruar se vendimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do të merret bashkërisht dhe se Lista Serbe do të jetë instrument i rëndësishëm për përkujdesjen e të drejtës së serbëve në Kosovë, transmeton lajmi.net.
“Është shumë e rëndësishme për serbët në Kosovë që bashkërisht të marrim pjesë me shqiptarët dhe të gjithë të tjerët, dhe për këtë arsye Lista Serbe është instrument i rëndësishëm i shtetit të Serbisë, Beogradit në bashkëpunimin, komunikimin dhe luftën për mbrojtjen e interesave tona në Kosovë”, shpjegoi Gjuriq.
Ai ka thënë se zgjedhjet janë mundësi për serbët që të sigurojnë një pozicion të fortë në Kosovë.
“Duhet ta parandalojmë skenarin që mund ta dëshirojnë ta shohin në Prishtinë, e ai është që serbët të jenë të ndarë në disa pjesë. Ne si gjithmonë vendimin për dalje në zgjedhje e marrim bashkërisht dhe mendoj se serbët duhet fuqishëm të jenë të afruar me Listën Serbe dhe për këtë do të japim shpjegime të detajuara në ditët e ardhshme”, theksoi ai.
“Por, dua t’ju them të gjithë serbëve në Kosovë dhe t’i porosis që shteti i tyre do të jetë me ta, do të vazhdojmë t’i mbështesim edhe materialisht, do të vazhdojmë të investojmë tek ata”, përfundoi ai