Gjuriq ka thënë se Serbia nuk po e përfill taksën e vendosur nga Kosova.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se përkundër vendosjes së taksës, ata po arrijnë të gjejnë mënyra që t’i furnizojnë me mallra qytetarët serbë në veri të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që bashkëkombësit tanë në ‘krahinë’ [Kosovë] kanë treguar një nivel të mahnitshëm të solidaritetit dhe gatishmërisë që me mjete paqësore të luftojnë për të drejtat e tyre themelore njerëzore dhe ekzistenciale. Pa këtë, përpjekja jonë do të ishte e kotë”, ka thënë Gjuriq
Në një intervistë për për gazetën serbe “Politika” Gjuriq tha se qëllimi i Prishtinës gjatë muajve të fundit ka qenë “përmes frikësimit dhe sanksioneve të thyejë dhe topitë vullnetin e serbëve në veri të Kosovës”.
“Veriu është objektiv obsesiv për Prishtinën, një therë e madhe në sy. Por unë jam i bindur se nuk do të kenë sukses t’i nënshtrojnë serbët, sepse ata kanë këmbëngulje, dhe kanë mbështetjen e padiskutueshme të Beogradit, shtetit të Serbisë dhe të gjithë popullit serb”, tha Gjuriq.
I pyetur se si Beogradi arrin të ndihmojë serbët pavarësisht bllokadës tregtare, Gjuriq nuk ka dashur të japë shpjegime të hollësishme se si po ia dalin mbanë, të cilat, sipas tij, do të shërbenin si justifikim për presione të reja, por është e rëndësishme se ka bukë, qumësht, mish, miell, vaj.
“Serbia nuk do të lejojë vrasje dhe dëbimin e serbëve në Kosovë, nuk do të ketë ‘Stuhi’ të reja dhe përndjekje të si ajo e marsit të viti 2004. Do të gjejmë mënyrë për të mbrojtur njerëzit tanë nëse është e nevojshme”, theksoi Gjuriq.