Gjykata anulon vendimin e KPK’së, e detyron ta certifikojë rezultatin për zgjedhjen e Elza Bajrami-Kastratit anëtare

20:55 | 03 Mars 2026
gjykata-anulon-vendimin-e-kpk’se,-e-detyron-ta-certifikoje-rezultatin-per-zgjedhjen-e-elza-bajrami-kastratit-anetare

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të 1 dhjetorit 2025, duke e detyruar ta aprovojë raportin për procesin zgjedhor, në të cilin Elza Bajrami-Kastrati u zgjodh anëtare e Këshillit.

Sipas vendimit të përpiluar më 3 mars 2026, me aprovimin e padisë së Bajrami-Kastratit, po ashtu shfuqizohet masa e sigurisë e caktuar më 26 dhjetor 2025, me të cilën ishte pezulluar ekzekutimi i vendimit të KPK-së, raprton “Betimi për Drejtësi“.

KPK-ja obligohet që ta aprovojë raportin për procesin zgjedhor, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm.

Në seancën e 18 shkurtit 2026, palët kishin paraqitur pretendimet e tyre. Më pas, Gjykata ka bërë administrimin e provave. Pas këtyre dhe analizimit të shkresave të lëndës, konstatoi se kërkesëpadia e paditëses është e bazuar.

Sipas Gjykatës, nuk ishte kontestuese se KPK më 22 shtator 2025 ka nxjerrë vendimin për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit dhe kishte themeluar komisionin. Aty thuhet se kontestuese nuk ishte as fakti se më 14 tetor 2025, Komisioni Zgjedhor nxori vendim, me të cilin konfirmoi kandidaturat, ku ishte konfirmuar edhe tani paditësja Bajrami-Kastrati.

Po ashtu, thuhet se më 1 nëntor 2025 u mbajt konferenca vjetore e prokurorëve ku u zhvillua procesi i zgjedhjes së anëtarit prokuror, e ku 135 prokurorë morën pjesë në votim. Nga rezultatet, Bajrami-Kastrati mori 74 vota, Merita Kurtishi-Gaka 58, dhe 3 vota u shpallën të pavlefshme.

Por, Themelorja thekson se kontestuese ishte refuzimi i Raportit zgjedhor të 1 nëntorit dhe moscertifikimi i rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor, me pretendimet për shkelje gjatë procedurës zgjedhore.

Gjithashtu, thuhet se kontestues ishte fakti nëse paditësja e ka fituar të drejtën për t’u zgjedhur anëtare e KPK-së, si rezultat i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve të zhvilluara- përkatësisht me marrjen e shumicës së votave apo kjo e drejtë fitohet pas certifikimi të rezultatit përfundimtar nga ana e Këshillit.

Kontestuese në këtë rast, sipas vendimit, ishte nëse edhe me aktgjykimin e Supremes ku ishte konstatuar se shkarkimi i Ushtruesit të Detyrës Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ishte i kundërligjshëm dhe në mungesë kuorumi a ishte edhe vendimi për moscertifikimin e rezultatit i pavlefshëm. Veç kësaj, kontestuese ishte edhe çështja e mosrespektimit të afatit 7 ditor për certifikimin apo moscertifikimin e rezultatit zgjedhor dhe se a prodhonte kjo efekt ku paditësja konsiderohet e zgjedhur anëtare e re e Këshillit.

Kështu, në vendim thuhet se Gjykata ka analizuar vendimin për moscertifikimin e rezultatit zgjedhor, dhe nga përmbajtja rezulton se KPK ka konstatuar në mënyrë të përgjithshme për “parregullsi substanciale”, ldhe “shkelje të rënda”, pa specifikuar se cilat janë ato shkelje dhe në çfarë mënyre kanë ndikuar ato shkelje në rezultatin zgjedhor.

“Gjykata thekson se cilësimi i një shkeljeje si “substanciale” nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por kërkon argumentim konkret dhe mbështetje në prova të administruara. Një shkelje konsiderohet substanciale vetëm atëherë kur provohet se ka cenuar ligjshmërinë e procedurës ose ka pasur ndikim në rezultatin e procesit zgjedhor. Në mungesë të një argumentimi të tillë, arsyetimi i vendimit mbetet jo i plotë dhe nuk përmbush standardin e arsyetimit të kërkuar për një akt administrativ që ndërhyn në një të drejtë të fituar nga procesi zgjedhor”, thuhet në arsyetimin e Themelores.

Gjithashtu, Gjykata arsyeton se pala e paditur ndonëse ka pretenduar për ekzistimin e shkeljeve substanciale gjatë procesit zgjedhor, nuk ka arritur që këto pretendime t’i mbështesë me asnjë provë konkrete, as në përgjigjen në padi dhe as gjatë shqyrtimit gjyqësor. Kështu, në mungesë të provave që do të dëshmonin ekzistimin e parregullsive të pretenduara dhe ndikimin e tyre në rezultatin përfundimtar të procesit zgjedhor, kjo Gjykatë nuk gjen bazë për t’i konsideruar këto pretendime si të provuara.

Kurse, në kuptim të nenit 10/A të Ligjit nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Keshillin Prokurorial të Kosovës, konkretisht sipas paragrafit 13 të këtij neni, “Prokurori qe merr më së shumti vota për pozitën në të cilën kandidon, fiton të drejtën për t’u zgjedhur.” Gjykata vlereson se kjo dispozitë në mënyrë të drejtpërdrejtë e lidh fitimin e së drejtës me rezultatin e votimit.

Në këtë rast, sipas Gjykatës, ligjvënësi nuk e ka kushtëzuar fitimin e të drejtës me momentin e certifikimit, por me marrjen e numrit më të madh të votave. Për rrjedhojë, momenti juridik i krijimit të së drejtës është momenti i përfundimit të votimit dhe konstatimit të rezultatit nga organi kompetent.

Sipas Gjykatës, paragrafi 14 i të njëjtit nen e rregullon fazën pasuese procedurale, duke paraparë paraqitjen e Raportit zgjedhor nga Komisioni dhe të drejtën e kandidatëve për ankesë brenda afatit 72 orësh, por, sipas Gjykatës, kjo nuk e pezullon efektin juridik të rezultatit të votimit.

“Rezultati konsiderohet i vlefshëm derisa të konstatohet ndryshe në një procedurë ankimore të bazuar në prova”, thuhet në arsyetim.

Gjykata thekson se sipas paragrafit 15 të kësaj dispozite, pas shqyrtimit të ankesave, Keshilli shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor, çka nënkupton se certifikimi paraqet akt konfirmues të rezultatit të dalë nga votimi dhe nga shqyrtimi eventual i ankesave, duke konstatuar përfundimisht vlefshmërinë e procesit.

Aty thuhet se vetëm nga nga paragrafi 16 i nenit 10/A, parashihet përjashtim nga ky rregull, duke i dhënë KPK-së kompetencën për të vendosur për përsëritjen e procesit zgjedhor në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore.

“Kjo dispozitë kërkon ekzistencën e një konstatimi të qartë dhe të argumentuar të shkeljeve, të cilat duhet të jenë të natyrës se tillë që cenojnë ligjshmërinë e procesit dhe ndikojnë në rezultatin e tij. Pra, nuk mjafton thjesht pretendimi për shkelje, por kërkohet verifikim faktik dhe arsyetim substancial mbi ekzistencën dhe ndikimin e tyre në proces.

Sipas shkallës së parë, refuzimi i certifikimit në mungesë të konstatimit të provuar të shkeljeve ligjore, nënkupton tejkalim të kompetencës dhe cenim të pritjes legjitime të kandidates fituese.

“Këshilli nuk ka diskrecion të lirë për të mos certifikuar një rezultat të vlefshëm, ngase ai mund të ndërhyjë vetëm kur janë plotësuar kushtet ligjore për përsëritje të procesit”, thuhet tutje në arsyetim.

Gjykata ka vlerësuar se certifikimi në këtë kuptim ka natyrë deklarative-verifikuese dhe jo konstitutive. Sipas arsyetimit të vendimit, e drejta për t’u zgjedhur lind nga votimi, ndërsa certifikimi shërben për ta konfirmuar atë pasi të jetë siguruar ligjshmëria procedurale.

Gjykata vlerëson se të konsiderohet se certifikimi është një akt që krijon ose mohon të drejtën në mungesë të shkeljeve të provuara, do të ishte në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike.

“Për këto arsye, gjykata arrin në përfundimin se paditësja ka fituar të drejtën për t’u zgjedhur me marrjen e shumicës së votave në procesin zgjedhor dhe se refuzimi i certifikimit, i bazuar në pretendime të paprovuara për shkelje ligjore, paraqet zbatim të gabuar të nenit 10/A të Ligjit nr.08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe tejkalim të kompetencës së parashikuar në paragrafin 16 të tij”, ka arsyetuar Themelorja.

Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se në rastin ku Gjykata Supreme ka konstatuar se shkarkimi i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit paraprak ka qenë në kundërshtim me ligjin, vendimi i Supremes ka ndikim të drejtpërdrejtë në vlefshmërinë e vendimit të kontestuar nga paditësja.

Sipas Gjykatës, kur një akt shpallet i kundërligjshëm me vendim të formës së prerë, ai konsiderohet se nuk ka prodhuar pasoja juridike të vlefshme, e për rrjedhojë, edhe emërimi i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit pasues ka qenë pa bazë ligjore.

Kështu, në këto rrethana, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, që ka marrë pjesë në mbledhje ku është vendosur të refuzohet Raporti i procesit zgjedhor dhe të moscertifikohet rezultati përfundimtar i procesit zgjedhor për anëtarin e ri të Këshillit, nuk ka pasur mandat të vlefshëm në momentin e votimit.

“Gjykata thekson se pjesëmarrja e një anëtari pa mandat të vlefshëm e bën të parregullt përbërjen e organit, aq më tepër në rastin konkret kur prezenca e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë thelbësore në përbërje të kuorumit, ngase pa pjesëmarrjen e tij nuk do të plotësohej kuorumi dhe Këshilli nuk do të kishte të drejtë të merrte vendim. Ashtu që, fakti që vendimi është marrë nga organi i përbërë në kundërshtim me ligjin përbën shkelje thelbësore të procedurës”, ka konstatuar tutje Gjykata.

Në këtë rast, Gjykata ka konstatuar se organi nuk ka qenë i përbërë në mënyrë të ligjshme, andaj edhe vendimi është i paligjshëm për arsye procedurale dhe të kompetencës. Andaj, Gjykata ka vlerësuar se vendimi për moscertifikimin e rezultatit zgjedhor është nxjerrë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë dhe me kërkesën për përbërje të rregullt dhe kuorum të vlefshëm të organit kolegjial, andaj, si i tillë, i njëjti duhet të anulohet.

Lidhur me afatin ligjor prej 7 ditësh, Gjykata ka vlerësuar se ky pretendim nuk është i bazuar në ligj, duke thënë se është caktuar afati brenda të cilit organi duhet të veprojë, por nuk është paraparë pasoja juridike në rast të mosveprimit brenda afatit.

Sipas Gjykatës, mundësia e vetme e Këshillit ka qenë të anulojë në tërësi procesin për të pritur vendimin e Supremes lidhur me ligjshmërinë e Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së, por që në këtë rast KPK nuk e ka anuluar në tërësi procesin qysh pretendon por vetëm ka refuzuar raportin e procesit zgjedhor duke moscertifikuar rezultatin.

Gjykata, në kuptim të nenit 309, paragrafi 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ka shfuqizuar masën e sigurisë të caktuar nga kjo gjykatë, të datës 26.12.2025, me arsyetimin se masa e pezullimit ka karakter të përkohshëm dhe ka për qëllim vetëm sigurimin e efektivitetit të procedurës deri në vendosjen meritore të çështjes.

“Me marrjen e këtij aktgjykimi, gjykata ka vendosur përfundimisht lidhur me çështjen, objekt shqyrtimi, çka e bën të panevojshme vazhdimin e efektit juridik të masës së caktuar dhe, për rrjedhojë, masa e pezullimit pushon së prodhuari efekte juridike nga momenti i marrjes së këtij aktgjykimi”, thuhet në përfundim të arsyetimit të vendimit.

Po ashtu, detyrohet KPK-ja që paditëses Elza Bajrami-Kastrati, e cila përfaqësohet nga avokati Kujtim Kërveshi, në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësore t’ia kompensojë 358 euro e 8 centë.

Fillimisht, më 1 nëntor 2025 ishte zhvilluar Konferenca Vjetore e Prokurorit të Shtetit, nga e cila Bajrami-Kastrati kishte fituar votat e nevojshme për të fituar ulësen e anëtares së KPK-së. Mirëpo, ky i fundit kishte vendosur më 1 dhjetor të refuzojë certiifikimin e rezultateve, me arsyetimin se procesi nuk është zhvilluar konform standardeve.

Andaj, Bajrami-Kastrati kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 17 dhjetor 2025, kundër të paditurit/kundërpropozuesit- Këshilli Prokurorial, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së, të 1 dhjetorit 2025. Bashkë me padi, paditësja ka parashtruar edhe kërkesë që të caktohet masa e sigurisë, ashtu që t’i ndalohet KPK-së të ndërmarrë çfarëdo veprimi lidhur me objektin e kërkesëpadisë së paditëses nga pranimi i këtij aktvendimi deri në një vendim tjetër gjyqësor.

Në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, paditësja ka deklaruar se nga procesi zgjedhor për anëtarin prokuror të Këshillit- që është zhvilluar më 1 nëntor 2025, në kuadër të Konferencës së Prokurorit të Shtetit, pas numërimit dhe verifikimit të votave, Komisioni Zgjedhor ka përpiluar raportin me rezultatin përfundimtar sipas të cilit ajo është renditur si kandidate për anëtare në Këshill me më së shumti vota. Ky raport i është dërguar KPK-së për certifikim, por ky i fundit përmes vendimit të marrë më 1 dhjetor 2025, ka vendosur të refuzojë raportin e procesit zgjedhor dhe mos bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor për anëtarin e ri të Këshillit. Ajo ka theksuar se vendimi i Këshillit ia pamundëson ushtrimin e mandatit të fituar dhe privohet nga ushtrimi i funksionit publik që buron nga një proces i rregullt zgjedhor tashmë i përfunduar.

Ndryshe, më 26 dhjetor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të KPK-së, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i rezultatit për zgjedhjen e Elza Bajrami-Kastratit anëtare. Ndërsa, më 26 janar 2026, ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Përmes padisë së ushtruar nga paditësja Elza Bajrami-Kastrati më 17 dhjetor 2025, është kërkuar që të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK/Nr.1082/2025, me arsyetimin se ishte vepruar në kundërshtim me nenin 10A, par.15 të Ligjit për Këshillin Prokurorial, i cili përcakton se “Pas shqyrtimit të ankesave, këshilli brenda 7 ditëve shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor”.

Sipas paditëses, Këshilli Prokurorial nuk e ka zbatuar afatin e përcaktuar ligjor lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të procesit zgjedhor. Kjo pasi që KPK e kishte refuzuar ankesën e kandidates së pasuksesshme në mbledhjen e datës 13 nëntor 2025, ndërsa raportin e Komisionit Zgjedhor nuk e ka shqyrtuar deri më 1 dhjetor 2025.

Në padi thuhet se KPK-ja ka refuzuar raportin e Komisionit Zgjedhor pa vërtetuar gjendjen faktike, si dhe duke mos marrë vendim për përsëritjen e procesit zgjedhor, si masë përjashtimore që parashihet me ligj në rast të konstatimit të shkeljeve.

Po ashtu, paditësja në padinë e saj thekson se konstatimi për “Parregullsi substanciale”, është tërësisht i pabazuar, i paargumentuar dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 48 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, sipas të cilit detyrohet organi që vendimi të përmbajë arsyetim të qartë, konkret, të bazuar në fakte dhe dispozita ligjore./Betimi për Drejtësi

Komento: