Gjykata arsyeton vendimin për Gani Gecin: Ekziston rreziku që i pandehuri të përsërisë veprën penale!

17:17 | 14 Tetor 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit G.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosja, nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.G., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që i pandehuri të përsërisë veprën penale apo të kryejë veprën penale me të cilën ka kanosur, gjithashtu gjykata vlerëson se rreziku është konkret, real dhe i bazuar në rrethanat e veçanta të këtij rasti. Në këtë drejtim, gjykata ka marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, përmbajtjen dhe intensitetin e kërcënimeve, si dhe sjelljen e të pandehurit pas ngjarjes.

Gjykata vlerëson se nëse i pandehuri lihet në liri pa masa të përshtatshme parandaluese, mund të tentojë të kontaktojë sërish të dëmtuarin L.M., të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij, përmes kanosjeve ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kanosjes së pretenduar.

Gjykata poashtu vlerëson se, në rrethanat konkrete të rastit, masat alternative ndaj paraburgimit nuk do të ishin të mjaftueshme për ta evituar rrezikun e përsëritjes së veprës penale ose të kryerjes së veprës me të cilën pretendohet se është kanosur i dëmtuari.

Andaj, në këtë fazë të procedurës, masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe se asnjëra nga masat e tjera të parapara me nenin 171 të KPPRK-së nuk do të ishte e mjaftueshme për të evituar rrezikun konkret të identifikuar në këtë çështje penale.

Komento: