Avokati kosovar, Tahir Rrecaj beson se Gjykata e Apelit mund ta rrëzojë vendimin e Speciales për Salih Mustafën.
Sipas tij, dënimi për “Calin” është shumë i lartë, ndërsa shtoi se Gjykata e zbatoi ligjin e gabuar.
“Natyrisht që dënimi është shumë i lartë. Dëshiroj të theksoj që Gjykata e ka zbatuar ligjin e gabueshëm në rastin e Salih Mustafës, pasi e ka shkelur parimin e ligjshmërisë, i cili parim i garanton secilit person të akuzuar që ndaj tij zbatohet ligji më i favorshëm”, ka thënë ai në Rubikon.
Tutje, sipas tij, ligji është shumë i qartë dhe sqaron se ndaj të akuzuarit zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale.
“Ligji shumë qartë e sqaron që ndaj të akuzuarit zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale. Në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale ka qenë në fuqi ligji penal i ish-Jugosllavisë, i cili për vepra të tilla ka paraparë dënim me të paktën 10 vjet, ose dënim me vdekje.
Siç e dimë ne të gjithë pas luftës në Kosovë, me rregulloren e UNMIK-ut, dënimi me vdekje është hequr dhe ligji penal i ish-Jugosllavisë nuk ka paraparë dënim më të lartë sesa dënimi me burg deri në 15 vjet”.