Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) përshëndet vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës që ka pranuar padinë e ngritur ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke pranuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit që pamundësonte furnizimin e një biznesi me energji nga shërbimi universal.
“Ky vendim i gjykatës është dëshmi se ligji dhe drejtësia janë në mbrojtje të bizneseve kur ato përballen me vendime arbitrare apo të padrejta nga institucionet publike. AKB e konsideron këtë një rast të fituar jo vetëm për një biznes individual, por për të gjitha ndërmarrjet që kërkojnë trajtim të drejtë, të barabartë dhe të ligjshëm në tregun e energjisë.
I bëjmë thirrje ZRRE-së që ta respektojë këtë vendim të gjykatës dhe të rishqyrtojë qasjen e saj ndaj bizneseve, duke shmangur vendime që rrezikojnë funksionimin, investimet dhe vendet e punës në sektorin privat.
AKB do të vazhdojë të mbështesë çdo biznes që përballet me padrejtësi institucionale dhe do të jetë zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit ekonomik kombëtar”, thuhet në reagimin e AKB-së.