
Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar pranimin e kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Konfirmojmë dorëzimin e kërkesës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përkitazi me konstituimin e Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për rtv 21.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë sot se presin që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për të parandaluar pasoja të mëtejshme juridike dhe institucionale.
Kërkesa e PDK-së vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës votoi Qeverinë Kurti 4, në një seancë të jashtëzakonshme.
Qeveria u votua me 59 vota për, ndërsa tetë vota kundër erdhën nga deputetët e Listës Serbe. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në seancë.
Votimit të Qeverisë i parapriu vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, të mbajtur në orët e paradites.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Legjislaturën e 11-të, ndonëse nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.
PDK-ja e bojkotoi vazhdimin e seancës, duke pretenduar se në këtë proces janë shkelur Kushtetuta dhe ligjet.