Gjykata Kushtetuese merr një vendim lidhur me tatimin në pronë

10:47 | 04 Shtator 2023
gjykata-kushtetuese-merr-nje-vendim-lidhur-me-tatimin-ne-prone

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot përmes një komunikate se ka marr një vendim lidhur me çështjën e tatimit në pronë.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur përkitazi me kërkesën për masë të përkohshme në rastin KO 177/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Prizrenit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur.

Vendimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Neni i kontestuar përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) falja tatimore zbatohet vetëm për vitin tatimor 2023; dhe (vi) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të asaj komune dhe Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite.

Komento: