Gjykata Kushtetuese njofton Prokurorin e Shtetit për moszbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

15:33 | 24 September 2021

Kushtetuesja njofton Prokurorin e Shtetit për moszbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit.

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar që Aktgjykimi i saj i viti 2016 për Manastirin e Deçanit nuk është zbatuar nga autoritetet përgjegjëse. Kushtetuesja ka rikujtuar se vendimet e saj duhet të zbatohen nga të gjithë.

Kushtetuesja ka ritheksuar se zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Kosovës.

“Gjykata riktheson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ka kërkuar që vendimi i Kushtetueses të zbatohet.

“E mirëpres deklaratën e sotme të Gjykatës Kushtetuese që kërkon nga autoritetet e Kosovës të ekzekutojnë të gjitha vendimet e mëparshme të Gjykatës, dhe vendimin për moszbatim të dy vendimeve, përfshirë vendimin e vitit 2016 në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit. Dështimi në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shkel si Kushtetutën ashtu edhe parimet themelore të sundimit të ligjit. U bëj thirrje autoriteteve të ndërmarrin hapa për të siguruar që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë vendimin që lejon regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit, si dhe vendimet e tjera të autoriteteve gjyqësore, të ekzekutohen menjëherë dhe në mënyrë arbitrare. BE -ja është e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës. Respektimi i sundimit të ligjit dhe vendimeve gjyqësore është një vlerë themelore evropiane dhe çelësi për çdo përparim. Nga kjo përfitojnë të gjithë në Kosovë. Qëllimi ynë është i qartë. Ne e shohim Kosovën me një perspektivë evropiane, duke ndarë vlera të përbashkëta”, thuhet në deklaratën e Szunyog.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

II. Në rastin e Aktgjykimit të Gjykatës KI 132/15, parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar dy vendime të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përkatësisht Vendimet [nr. AC-I-13-0008] dhe [AC-I-13-0009] të 12 qershorit 2015, duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet: 24 [Barazia Para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata kishte konstatuar që dy Vendimet e kontestuara të 12 qershorit 2015 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, janë të pavlefshme, ndërsa që dy Vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësinë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të 27 dhjetorit 2012, përkatësisht [nr. SCC-08-0026] dhe [nr. SCC-08-0227], janë përfundimtare, të detyrueshme dhe, si të tilla, janë res judicata.

Në pajtim me paragrafin (8) të rregullit 66 të Rregullores së punës, Gjykata ka përcjellë në vazhdimësi zbatimin e këtyre dy Aktgjykimeve nëpërmjet mekanizmave të saj dhe nëpërmjet letërkëmbimeve me palët e përfshira në rastet përkatëse, e të cilat janë të reflektuara në Aktvendimet e publikuara për Mospërmbarim.

Pas vlerësimit të informatave të përditësuara lidhur me zbatimin e Aktgjykimeve KI56/09 dhe KI132/15, Gjykata njëzëri (i) konstatoi se të njëjtat nuk janë zbatuar sepse autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e plotë të tyre, siç kërkohet me nenin 116 të Kushtetutës; dhe (ii) vendosi të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim. Gjykata riktheson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

Komento: