Gjykata Kushtetuese sot pret vizitorë

08:15 | 08 Prill 2026
gjykata-kushtetuese-sot-pret-vizitore

Me rastin e shënimit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila është miratuar më 9 prill të vitit 2008, sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të jetë e hapur për vizitorë, në kuadër të aktivitetit “Dita e Gjykatës së Hapur”.

“Në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas njoftimit, organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë.

Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë 45 minuta.

Tutje bëhet e ditur se para vizitës në gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti.

Komento: