Gjykata merr këtë vendim për serbin e arrestuar në Jarinjë për krime lufte në Kosovë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Gjykata merr këtë vendim për serbin e arrestuar në Jarinjë për krime lufte në Kosovë

21:56 | 02 Shkurt 2019

Gjykata Themelore e Pejës ka lënë në paraburgim serbin e dyshuar për krime lufte.

Zoran Gjokiq, i arrestuar nga Policia e Kosovës mbrëmë rreth orës 21:50 në pikën kufitare në Jarinjë si i dyshuar për krime lufte, është paraqitur në Gjykatën Themelore të Pejës ku ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorit special të Kosovës të ketë kryer krime lufte në Pejë gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Kështu ka thënë Lubomir Pantoviq, avokati i tij për agjencinë serbe të lajmeve me bazë në Republikën Serbe në Bosnje, “Srna”.

Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit që Gjokiqi të mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi, i cili, sipas Pantoviqit, palës mbrojtëse do t’i dorëzohet të dielën ose të hënën.

“Prokurori ka kërkuar që Gjokiqi të mbetet në paraburgim prej 30 ditësh, por klienti im, duke demantuar akuzën, ka paraqitur dëshmi valide që hedhin poshtë pretendimet e prokurorisë”, tha Pantoviqi, transmeton Koha.net.

Gjokiq (48 vjeç) u arrestua mbrëmë në pikën kufitare të Jarinjës nën dyshimit për krime lufte gjatë luftës në Kosovë. Ai u arrestua në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore – Departamenti për Krime të rënda në Pejë, ndërsa sot nga qendra e paraburgimit në Prishtinë u dërgua në Pejë, ku do të qëndrojë deri në marrjen e vendimit.

Sipas kësaj agjencie të lajmeve, Gjokiqi, pas luftës në Kosovë, të cilës i referohet si “konflikt”, si person i zhvendosur, për më shumë se 10 vjet jetoi në Mitrovicë, e më pastaj u zhvendos me familje në Beograd. Gjithnjë sipas “Srna-s”, në momentin e arrestimit, Gjokiqi ishte nisur për në Mitrovicë që ta dërgonte djalin e tij tek gjyshja gjatë pushimit shkollor.

Arrestimin e tij e ka dënuar edhe e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, e cila ka thënë se “ky arrestim është edhe një dëshmi se Prishtina nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga fushata e frikësimit të popullatës serbe në Kosovë e Metohi duke abuzuar me të ashtuquajturat dokumentet e fshehta për të dyshuar për krime lufte”.

Komento: