Gjykata merr vendim për ferizajasin që u akuzua se e ndihmoi vëllain për ta vrarë dhe djegur shokun

09:10 | 05 October 2021

U akuzua se e ndihmoi vëllain për ta vrarë dhe djegur shokun, Gjykata merr vendim për ferizajasin.

Dashmir Lalinovci është liruar nga akuza se ndihmoi vëllain e tij, tani të dënuarin me 30 vite burgim Trimor Lalinovcin, për vrasjen e Shkodran Bytyqit.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga gjykatësi Sahit Krasniqi, nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Seanca e parë fillestare në këtë rast është mbajtur më 23 tetor 2020, ku i akuzuari Trimor Lalinovci kishte pranuar fajësinë për veprën penale të “vrasjes së rëndë”, ndërsa i akuzuari Dashmir Lalinovci ishte deklaruar i pafajshëm, me ç’rast ndaj tij ishte veçuar procedura.

Më 26 tetor 2020, i akuzuari Trimor Lalinovci është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa më 19 janar 2021, Gjykata e Apelit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vite.

Sipas aktakuzës, Trimor Lalinovci akuzohej se më 8 dhjetor 2019, rreth orës 18:00, në fshatin Surqinë të Komunës së Ferizaj, me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë, me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157 mijë euro, të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata.

Tutje, në aktakuzë thuhet se meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14 mijë euro, që kishte për ta paguar në ditën kritike, fillimisht vihet në kontakt me tani të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat, pastaj me t’u takuar me të në afërsi të kafenesë “Pianino“, me veturën e tij të markës “Porsche Panamera“ nisen në drejtim të fshatit Prelez, për të vazhduar rrugën deri në afërsi të shkollës së fshatit Surqinë.

Sipas aktit akuzues, pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon një herë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij të markës “ZORAKI-M 906-B“, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse siç është konstatuar në raportin e autopsisë MA19-340 të 13 dhjetorit 2019.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas aktit të kryer i pandehuri Trimor e thërret të pandehurin, vëllanë e tij Dashmir Lalinovcin, në mënyrë që ta ndihmojë dhe së bashku shkojnë tek vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole të Komunës së Gjilanit, ku e hudhin në një përrockë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Trimor pas kësaj i vetëm shkon tek pompa e derivateve “PATRONI“, merr një sasi të benzinës në vlerë prej pesë euro dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkatë me benzinë dhe ia vë flakën, e më pas përdor telefonin e të ndjerit dhe I dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke iu shkruar në sms se i ka marrë të hollat dhe është nisur për në Gjilan për të takuar një person.

Me këto veprime Trimor Lalinovci akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kohë të papërcaktuar e deri më 12 dhjetor 2019, rreth orës 18:00, në fshatin Prelez, Komuna e Ferizajt, i pandehuri pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “ZORAKI-M 906-B“, të kalibrit 7.65 mm, me një karikatorë me tre fishekë si dhe 12 fishekë të tjerë, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, ku me rastin e kontrollit në shtëpinë e të pandehurit nga ana e Policisë së Kosovës, të njëjtat i gjenden dhe i sekuestrohen.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Kurse, Dashmir Lalinovci akuzohet se më 8 dhjetor 2019, ora 18:30, në fshatin Surqinë të Komunës së Ferizajt, me qëllim të fshehjes së provave të kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë, ka ndihmuar të pandehurin e parë, vëllanë e tij.

E gjithë kjo në akzakurë thuhet se u bë në atë mënyrë që me të kuptuar se vëllai i tij kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, nga banesa e tij në Ferizaj shkon në fshatin Prelez, takohet me vëllanë e tij dhe së bashku shkojnë në fshatin Surqinë dhe e ndihmon që ta fusin të ndjerin në bagazh të veturës së markës “Porsche Panamera“ dhe ta dërgojnë në fshatin Kishnapole, me ç’rast e hudhin në një përrockë, në mënyrë që të fshehin të gjitha provat e kryerjes së veprës penale të përshkruara si në dispozitiv I të kësaj aktakuze, pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, Dashmir Lalinovci akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Komento: