Gjykata shqipton dënime për rrahjen masive mes kosovarëve e sirianëve në Graz

14:00 | 10 Qershor 2026
gjykata-shqipton-denime-per-rrahjen-masive-mes-kosovareve-e-sirianeve-ne-graz

Gjykata Rajonale e Grazit ka shqiptuar dënimet për një rast të rrahjes masive mes tre sirianëve e tre kosovarëve që ndodhi në shkurt. Kosovarëve iu shqiptua dënim nga masë alternative e deri te tetë muaj burgim pa kusht. E tre sirianët u dënuan nga dy vjet e gjysmë deri 6 vjet burgim. 

Rrahja mes tre sirianëve e tre kosovarëve në lagjen Lend të Grazit në Austri në shkurt kishte tronditur komunitetin.

Gjashtë burra u rrahën mes vete në një pikë karburanti në mes të ditës, ndërsa përreth kishte dëshmitarë, përfshirë fëmijë.

Një avokat i përshkroi skenat për gazetën “Kleine Zeitung” në mënyrë drastike.

“Në pikën e karburantit kishte familje me fëmijë të vegjël, që vetëm donin ta lanin veturën e tyre. Por papritur fillon gjithçka: merret një shkop bejsbolli, goditet me shkelma në kokë një burrë i shtrirë në tokë. Aty mbretëronte luftë civile. Po të shkonte keq puna, dikush do vdiste”, tha avokati.

Shkaku thuhet se ishte një mosmarrëveshje për një grua.

“Ishte një provokim i vetëdijshëm, klienti im u provokua përmes mesazheve. Si pasojë, ai përjetoi një shpërthim të madh adrenaline”, tha një avokat mbrojtës.

Sipas gjykatës, kamerat e sigurisë treguan se si një sirian hyri me veturë me shpejtësi në pikën e karburantit. Një kosovar arriti t’i shmangej veturës vetëm duke u hedhur anash. Më pas pasuan skena të dhunshme me grushte e shkopinj bejsbolli.

Në Gjykatën Penale Rajonale të Grazit, prokurorja Julia Steiner i akuzoi të gjashtë të pandehurit për pjesëmarrje në përleshje. Për autorët kryesorë u shtuan edhe akuzat për detyrim dhe tentativë për lëndim të rëndë trupor me qëllim. Të gjashtë burrat, të moshës 21 deri në 28 vjeç, janë me precedentë penalë.

“Asnjë njeri në Austri nuk ka nevojë për boks hekuri ose shkop bejsbolli në veturë për t’i rrahur të tjerët”, tha gjykatësi Andreas Lenz.

Të pandehurit kryesisht e pranuan fajësinë.

Trupi gjykues shqiptoi dënime ndaj treshes kosovare nga masa alternative e deri te tetë muaj burgim pa kusht. Për sirianët dënimet ishin dukshëm më të ashpra. Dënimet e tyre janë nga dy vjet e gjysmë deri në gjashtë vjet burgim, shkruan “Kleine Zeitung”.

Komento: