Gjykata Speciale dhe Dialogu, Thaҫi befason me këtë vendim

19:55 | 15 Dhjetor 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi vazhdon të befasoi me disa vendime të tij.

Një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi ligjet që Forcës së Sigurisë së Kosovës i japin mandat ushtarak, presidenti Hashim Thaçi ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

Aty, Thaçi tha se puna më e mbarë që mund të bëjnë pas themelimit të ushtrisë është nderimi i bashkëluftëtarëve. Përveç çështjes së ushtrisë, ai nuk pranoi të flasë për tema të tjera.

Presidenti këtu u pyet nga KTV-ja rreth seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e udhëheq ai vetë. Por, si shpesh herë, ai nuk është përgjigjur.

Thaçi më pas vazhdoi homazhet te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Këtu nuk u deklarua fare për gazetarët.

Televizioni pyeti Thaçin edhe rreth ftesave që Gjykata Speciale ua ka bërë disa prej ish- pjesëtarëve të UÇK-së. Edhe këtu Thaçi nuk u tregua i hapur për mediet, duke refuzuar të përgjigjet.

Madje, stafi i tij ka penguar ekipin e KTV-së gjatë parashtrimit të pyetjes.

Kështu, nga varri i Rugovës dhe Demaçit, presidenti u largua i heshtur për të vazhduar homazhet te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Komento: