Gjykata Speciale do të ftojë të dyshuar tjerë, por a u intervistua Shaip Muja?

14:06 | 25 Qershor 2019

Gjykata Speciale po vazhdon me intervistime.

Në vazhdën e intervistimeve nga Gjykata Speciale, sot në media u përfol edhe emri i ish-deputetit të PDK-së Shaip Mujës.

Muja nuk e ka pranuar se ka dëshmuar para prokurorëve të Speciales. Se a ka marrë ftesë nga Haga nuk e dinë as organizatat e dala nga lufta.

Gjykata Speciale po vazhdon intervistimin e shumë personave, si dëshmitarë e të dyshuar.

Deri më tani është raportuar se disa nga krerët e UCK’së janë ftuar për intervistim, ndërsa sot në media se ka dhënë dëshmi para prokurorëve të speciales u përmend edhe emri i Shaip Mujës.

Ish-deputeti i PDK-së nuk ka dashur të flasë për këtë temë. Ai po thotë se do të padisë mediat që kanë shkruar për këtë ftesë.

Lidhur me këtë cështje nuk kanë informacione as organizatat e dala nga lutfta.

Kreu i organizatës së veteranëve, Hysni Gucati po thotë se Muja nuk e ka lajmëruar ftesën e tij nga Specialja.

“Nuk kemi informacione nëse Shaip Muja ka marrë ftesë për në Gjykatë Speciale. I njëjti nuk është lajmëruar te ne për këtë”, tha Gucati.

Megjithatë, kryetari i organizatës së veteranëve po thotë se brenda pak ditësh para speciales priten të dalin edhe tre persona tjerë, identitetin e të cilëve nuk e ka zbuluar.

Megjithëse nuk dhanë informacione se a ka dëshmuar i njëjti apo jo, nga OVL-UCK i kanë bërë publik shumë nga emrat të cilët janë ftuar deri më tani.

Dje u bë e ditur se në cilësinë e të dyshuarit është ftuar edhe Muhamet Sejdi Krasniqi.

Në raportin e Dick Martyt, ish-deputeti Shaip Muja ka qenë i apostrofuar si i përfshirë në trafikimin me organe, por edhe organizatat ndërkombëtare që kanë operuar me rendin dhe ligjin në Kosovë dhe janë marrë me hetimin e këtyre pretendimeve, përkatësisht UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk kishin arritur që të gjejnë ndonjë dëshmi të vlefshme për ta ulur Mujën në bankën e të akuzuarit.

Ish-deputeti Shaip Muja ishte i përfshirë më vonë edhe në procesin e njohur si Medikus, ndaj të cilit EULEX kishte ngritur edhe aktakuzë për trafikim organesh.

Komento: