Gjykata Speciale e Hagës fton në intervistë edhe Avdi Ibrahimin

17:08 | 23 Korrik 2019

Gjykata Speciale po vazhdon të dërgoj ftesa për ish-përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-zëvendëskomandanti i Brigadës 128-të të Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së, Avdi Ibrahimi, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës.

Ai, në Hagë do të paraqitet me 2 tetor 2019.

“Ndjej një obligim moral e qytetar t’ju njoftoj se sot rreth orës 14, 20 minuta kam marr ftesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitem më date 02 tetor 2019”, njofton Ibrahimi.

“Përkundër bindjeve që kamë për këtë gjykatë politike të sajuar nga shpifjet, të pavërtetat e shtetit serbë për ta njollosur luftën e pastër të UÇK-së, edhe pse unë nëpërmjet shkrimeve të cilat i kam bërë publike kam shprehur hapur kundërshtimin e kësaj gjykate të ngritur mbi bazën e raportit të Dik Martit, por që e ka miratuar Këshilli Europian, njëherë është miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës, do të paraqitem në kohën e caktuar në hetuesin e Gjykatë Speciale për intervistim”, tha ai, shkruan “PrizrenPress”.

Foto: Avdi Ibrahimi

“Edhe pse dihet botërisht se në luftën e Kosovës shteti i Serbisë ndaj popullatës së Kosovës ka kryer krime ekonomike, shkatërrime, e ka bërë plaqkitje nga më të ndryshme, njikohësisht edhe ka bërë masakra të papara mbi popullatën shqiptare në të gjitha grup moshat. Duke besuar në drejtësi të paanshme, do të paraqitem në kohën e caktuar në hetuesin e Gjykatë Speciale për intervistim”.

“Jam intervistuar vite më parë, edhe dy here të tjera nga Gjykata Speciale e EULEX, dhe deklarata ime ka qenë publike, se vërtet unë nuk kamë asfarë njohurie të ketë bërë dikush nga njerëzit e UÇK-së ndonjë krim, pretendime të tilla të pabaza i kam hedhur poshtë dhe ashtu do të ndodhë edhe në rastin kur të paraqitem sërish para Gjykatës Speciale të Hagës”.

Komento: