Ish deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj është ftuar nga Gjykata Speciale.
Listës së eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë marrë ftesë për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar i shtohet edhe Lahi Brahimaj.
Vetë Brahimaj e ka konfirmuar për Gazetën Express se ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale dhe do t’i përgjigjet asaj.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj dhe t’i përgjigjem ftesës sic kam bërë edhe më herët”, ka thënë Brahimaj.
Brahimaj ka qenë zëvendëskomandant i zonës operative të Dukagjinit, ndërsa më parë ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës, por ishte shpallur i pafajshëm.
Ai thotë se është i gatshëm që edhe njëherë t’i përgjigjet një Tribunali, i cili u formua nga Kuvendi i Kosovës në gusht të 2015’ës.
“Vota ime ka qenë kundër si deputet për këtë gjykatë, por unë e respektoj si kanë votuar shumica e deputetëve”, është shprehur ish-deputeti i AAK’së.
Gjatë muajit dhjetor Gazeta Express ka raportuar për disa eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.
I pari që u intervistua ka qenë ish-drejtuesi i Gjykatës së UCK’së, Sokol Dobruna, në zyrat e Prokurorit të Specializuar me seli në Prishtinë.
Ndërsa, në janar u intervistuar edhe ish-komandanti i Zonës së Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, dhe ish-komandanti i ZO të Drenicës, Sami Lushtaku. Të dy u intervistuan nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.