Pas Rrustem Mustafës- Remit, është ftuar edhe një profil i lartë i UÇK-së për në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar deri më tani nuk ka komentuar informacionet e siguruara nga Gazeta Express përmes burimeve.
“ZPS nuk jep detaje në hetimet e saj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, e dërguar të enjten me e-mail, “dhe nuk jep informata për kohën se kur mund të ngrihen aktakuzat e mundshme”.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara, të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.
Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, të cilin e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011-s.
Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështetën edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.
Në mars të këtij viti, pas katër vjetësh nga themelimi i Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schëendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për t’u ngritur.
Detyrën e tij përkohësisht e ka ushtruar Këai Hong Ip, deri më 11 shtator kur u emërua amerikani Jack Smith. Ai u zgjodh në pozitën e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga BE-ja dhe i udhëhequr nga shefja e misionit të EULEX-it.