Gjykata Speciale në “aksion”, ftohet edhe një ish-pjesëtar i UÇK-së – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Gjykata Speciale në “aksion”, ftohet edhe një ish-pjesëtar i UÇK-së

21:46 | 09 Nëntor 2019

Gjykata Speciale është treguar shumë aktive kohëve të fundit.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Fortesa e Rahovecit, Durmish Gashi, ka njoftuar se sot ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Durmishi, këtë njoftim e ka bërë përmes Facebook-ut, ku ka thënë se ftesa e tij vjen në ditëlindjen e nipit të tij Andinit.

“Më vie keq që sot në vend të urimit për ditëlindjen e Andinit ( djalit të vëllait tim ) , më duhet të shkruaj këtë njoftim për ftesën e ardhur në emrin tim nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar , ashtu siç pranuan e po pranojnë çdo ditë ftesa të tilla shumë bashkëluftëtar të UÇK- së”, ka thënë ai.

Ai është shprehur krenar për të kaluarën e tij në UÇK.

“Jam krenar që i takoj gjeneratës e cila gjithë jetën luftoi sundimin serb ndaj trojeve shqiptare , fillimisht në organizimet ilegale të kohës , e më pas i rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në shtabin lokal të Fortesës , në Brigadën 124 “Gani Paçarizi” si dhe pranë Zonës Operative të Pashtrikut si zv. Komandant për ndërlidhje deri në përfundim të luftës. Shumë prejt tyre kanë rënë dëshmorë për liri e bashkim kombëtar , ashtu siç ishte edhe betimi i ushtarit të UÇK-së”, ka theksuar ai më tej.

Ai ka thënë se gjyqi është dashur t’u bëhej atyre që masakruan shqiptarë gjithandej në Kosovës, Rahovec e fshatra të Rahovecit.

“Do të duhej që shumë kohë më parë , gjyqi të iu bëhej atyre që vranë e masakruan me qindra e mijëra shqiptar të pafajshëm gjithandej në Kosovë por edhe në Rahovec , Fortesë , Krushë të Madhe,Celinë, Krushë të Vogël, Qëndresë , Hoqë e Vogël , Brestoc, Apterushë , Senoc ,Rudinë (Pastasel) , Ratkoc , Rogovë , Zatriq , Pataqan i Ulët dhe i Epërm e ky varg vazhdon në pafundësi. Ende kemi shumë të vrarë e të pagjetur nga kriminelët serb , por deri më tani nuk u dënua askush për krim , gjenocid dhe pastrim etnik nga forcat okupatore serbe . Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet krenaria e popullit tonë! Me respekt , Durmish F. Gashi”, ka shkruar në fund ai.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!