Gjykata Speciale po vazhdon edhe më tej me ftesat e tjera.
Njëri nga udhëheqësit e Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Mendim Daka, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale, i cili më 13 maj të këtij viti pritet të intervistohet në Hagë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se së fundmi vetëm një ftesë ka ardhur nga Gjykata Speciale, përkatësisht për Dakën. Gucati ka thënë se nuk ka njohuri për ftesat tjera nga Specialja.
Kurse nënkryetari i Organizatës, Nasim Haradinaj, derisa i ka parë të paarsyeshme ftesat që po bëhen nga kjo Organizatë, ka thënë për “Zërin” se kushdo që thirret duhet t’u përgjigjet ftesës së Speciales.
“Ne nuk kemi pritur të mos na vijë asnjë ftesë, por ato po na vijnë pa pritur. Ne nuk mendojmë se është e arsyeshme asnjë thirrje që bëhet nga Gjykata Speciale, pra bëhet pa të drejtë. Duket se Gjykata Speciale nuk e ka ndonjë fakt deri më tani, me këto po mundohet ta arsyetojë veten se pse është bërë. Për ne janë thirrje të kota, por ja që Kuvendi e ka votuar dhe ne tani duhet t’i përgjigjemi sepse është vendim i Qeverisë. Kushdo që të thirret duhet të përgjigjet”, ka thënë ai.