Gjykata vendos masën e paraburgimit për të dyshuarin që aksidentoi për vdekje 34-vjeçarin në Hajvali

15:34 | 21 October 2022

Paraburgim për të dyshuarin që aksidentoi për vdekje 34-vjeçarin në Hajvali.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji personit që dyshohet se e aksidentoi për vdekje 34-vjeçarin në Hajvali.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.S për shkak të veprës penale Rrezikim i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.S. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”.

Gjyqtarja e ka vlerësuar se ekziston rreziku që i pandehuri të ikën apo që ta pengojë rrjedhën normale të procedurës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit, vlerësoi se ekziston rreziku i ikjes së tij ngase ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes dhe po që se i njëjti lihet në liri do të pengoj rrjedhën normale të procedurës duke mos u përgjigjur në ftesat e Gjykatës, po ashtu nëse i njëjti lihet në liri, do të pengoj rrjedhën normale të procedurës duke ndikuar në dëshmitarë, andaj gjyqtarja e procedurës paraprake konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale”.

I pandehuri (E.S.) dyshohet që të martën ta ketë goditur këmbësorin (A.S.) me automjet, i cili më pas kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Komento: