Gjykatësi Naser Maliqi pëlqen videon e Kurtit në Facebook, thotë se “bën vaki” që ia kanë bërë fëmijët

15:08 | 17 January 2025
gjykatesi-naser-maliqi-pelqen-videon-e-kurtit-ne-facebook,-thote-se-“ben-vaki”-qe-ia-kane-bere-femijet

Gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Naser Maliqi, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka pëlqyer një video ku shihet Kryeministri Albin Kurti me zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes në një restorant në Podujevë.

Në atë video, Kurti shihet teksa shkruan në një letër, e të cilën ua sqaron të pranishmve në tavolinë me të.

“Masa here shpejtësia në katror thye për dy, qeshtu është energjia kinetike a po? Masa here shpejtësia në katror thye për dy, nejse këta po e shohin tash çka ke thanë…masa here shpejtësia në katror thye për dy. Masa na vyn shumë me datën 9 shkurt, masa i bjen votues, masa i bjen 500 mijë vota. Ma e rëndësishme se masa është shpejtësia, kur ta dyfishojsh shpejtësinë e katërfishon energjinë”, shprehet Kurti.

Pas kësaj, ai u duartrokit nga të pranishmit.

Në profilin në Facebook ku është publikuar ajo video, në mesin e mijëra pëlqimeve, figuron edhe ai i gjyqtarit Naser Maliqi, i cili gjykon lëndët në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjilan.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, Maliqi tha se nuk e ka bërë një gjë të tillë, vetëm nëse ia kanë marrë telefonin fëmijët.

“Jo, jo, s’di as nuk i këqyri këto sene. Bon vaki e kam lanë çelë, e kanë marrë fëmija e kanë këqyrë aty…”, tha Maliqi.

Ai theksoi se atë “like” nuk e ka bërë me vetëdije.

“Jo, jo çfarë”, përfundoi Maliqi.

Me Kodin Etikës Profesionale të Gjyqtarëve ndalohet çfarëdo përkrahje, qoftë edhe përmes mediave sociale, për aktivitete politike. Madje, aty përmendet edhe ndalimi i përkrahjes edhe për anëtarët e familjes që mund të jenë pjesë e politikës.

“Gjyqtari përmbahet nga sjelljet që mund të japin përshtypje te publiku se është politikisht aktiv, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në aktivitetet politike në formë përkrahjeje të ndonjë nga anëtarët e familjes së ngushtë dhe përmes çdo forumi apo mediumi, duke përfshirë mediat sociale”, thuhet në Nenin 2.2.4 të Kodit të Etikës Profesionale të Gjyqtarëve.

Komento: