Gjykatësit që i kanë dënuar të pafajshmit, s’mund t’i dënojnë fajtorët

09:55 | 14 Janar 2020

Gjatë paraluftës, sidomos në vitet 80-a, prokurorët dhe gjykatësit shqiptarë, me POROSI të PATRONËVE të tyre të Beogradit, në PROCESE TË MONTUARA POLITIKE-GJYQËSORE, siç dihet, kanë dënuar me shumë vjet burg, MIJËRA SHQIPTARË TË PAFAJSHËM, kryesisht të rinj dhe të reja, të cilët, gjatë hetuesisë dhe gjatë vuajtjes së dënimit, JANË TORTURUAR PAMËSHIRSHËM, deri buzë vdekjes, në burgjet serbe, në Kosovë dhe anembanë Jugosllavisë.

(Sikur të ishte i mundshëm rigjykimi i tyre, po me ato ligje, por nga prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, siç na ka ënda të themi, shumica e të dënuarve shqiptarë, të atyre viteve, për të mos thënë gati të gjithë, – do të shpalleshin të PAFAJSHËM, ndërsa pjesa tjetër, pra një pjesë e vogël e tyre, do të mund të dënoheshin me SHUMË MË PAK vite burg.)

Në një vend ku ka REND dhe DREJTËSI të mirëfilltë, prokurorët dhe gjykatësit, që kanë dënuar me POROSI mijëra njerëz të PAFAJSHËM, si në rastin e Kosovës, nëse nuk do të dënoheshin me burg, të paktën, – nuk do të LEJOHESHIN të punonin më, në atë profesion.

Në Kosovë, ndërkaq, në vend që të MOS LEJOHESHIN të punonin në profesionin e tyre, prokurorët dhe gjykatësit e paraluftës, – u SISTEMUAN dhe u AKOMODUAN, shpejtë dhe lehtë, në PROKURORI e në GJYKATAT e Kosovës së pasluftës, madje edhe në KRYE TË TYRE. Ata u bënë bashkëpunëtorë kryesorë, më të besuar dhe të PRIVILEGJUAR, të UNMIK-ut, por edhe të PARISË shqiptare.

Sistemimi dhe akomodimi aq i shpejtë dhe aq i lehtë i tyre, në prokurori dhe në gjykatat e Kosovës së pasluftës, mund të mos jetë çudi aq e madhe, kur kihet parasysh roli i madh i UNMIK-ut, të NDIKUAR nga Serbia dhe nga miqtë e saj, në tërë ADMINISTRATËN e Kosovës së pasluftës. Çudi e madhe është dhe mbetet pajtimi i PARISË sonë politike me një dukuri aq të shëmtuar e aq të neveritshme.

Pajtimit të PARISË shqiptare me sistemimin dhe akomodimin e prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët para luftës kanë dënuar mijëra njerëz të pafajshëm, mund t’i ketë prirë një “PAKT“ i heshtur, i pashkruar, me përfitime të ndërsjella, midis tyre. Sipas tij, PARIA jonë do t’i “HARRONTE“ të bëmat e dënueshme të paraluftës, të prokurorëve e të gjykatësve shqiptarë, ndërsa këta të fundit nuk do t’i “SHIHNIN“ të bëmat, poashtu të dënueshme të pasluftës, të të parës. Kështu është siguruar dhe është garantuar një BASHKËJETESËe qëndrueshme, në HARMONI, midis tyre.

Çudi më vete mbetet qëndrimi joprofesional e, njëkohësisht, kontravers i shoqërisë civile dhe i mediave në Kosovë, kundrejt kësaj kategorie të prokurorëve dhe të gjyqëtarëve. Në njërën anë, të bëmat e dënueshme të paraluftës, të këtyre të fundit, pra, DËNIMIN e mijëra njerëzve të PAFAJSHËM prej tyre dhe SISTEMIMIN e AKOMODIMIN e tyre në prokurori dhe në gjykatat e pasluftës në Kosovë, mediat dhe shoqëria civile i kanë lënë në heshtje; Në anën tjetër, të njëjtit prokurorë dhe gjykatës, mediat dhe shoqëria civile i AKUZOJNË për MOS DËNIMIN E FAJTORËVE për korrupsion, për nepotizëm e për krime të tjera, në Kosovën e pasluftës.

Kësi qëndrimesh kontraverze, për të njëjtit persona e për të njëjtat veprime, mund të kenë vetëm shoqëria civile, e shitur dhe e korruptuar, dhe vetëm mediat, gjithashtu të shitura dhe të korruptuara.

Komento: