Gjykimi ndaj ish-inspektorëve të ATK-së: Dëshmitari thotë se njëri i akuzuar e kishte punësuar në kazino

13:42 | 21 Shtator 2023
gjykimi-ndaj-ish-inspektoreve-te-atk-se:-deshmitari-thote-se-njeri-i-akuzuar-e-kishte-punesuar-ne-kazino

Dëshmitari Fidan Tolaj gjatë dhënies së dëshmisë së tij të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se i akzuuari Skender Fetaj, e kishte punësuar në kazinon “EGTK II”.

Në këtë rast, dy ish-inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ramadan Ibishi dhe Selatin Hoxha, akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare, kurse Skender Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati, Burim Ismajli e Fisnik Ibishi, akuzohen për organizim të skemave piramidale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Arian Kastrati, Driton Haxhija, Ramadan Latifi e Burim Ismajli akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, e Ramadan Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, për ndihmë në zbulim të fshehtësisë zyrtare, akuzohet Fisnik Ibishi.

Në seancën e së enjtes, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special Burim Çerkini rreth asaj se nga kush ishte punësuar, dëshmitari Tolaj tha emrin e të akuzuarit Fetaj.

“Punën e kom marrë prej Skender Fetës”, tha dëshmitari Tolaj.

I njëjti tha se kishte menduar që i akuzuari Fetaj kishte pasur pozitën e drejtorit, por që një gjë të tillë nuk e dinte sigurt.

Paraprakisht, dëshmitari Tolaj, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Çerkini, tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

I njëjti shtoi se në kazino “EGTK II” kishte filluar të punonte diku rreth vitit 2010, ku fillimisht kishte qenë punëtor e tutje ishte bërë menaxher i tri pikave në Pejë.

Ai tha se detyrë kishte pasur që t’i rrinte gati pikës në lidhje me punëtorë, me hyrje-daljet dhe qarkullimet e pikës.

Dëshmitari Tolaj tha se në fillim e kishte pasur udhëheqës vetëm të akuzuarin Fetaj, ndërsa më vonë ishte njoftuar me të akuzuarit Kastrati dhe Haxhija, të cilët kishin qenë menaxherë të tij dhe se atyre iu kishte dhënë llogari për punën.

Sipas Tolajt, ato pika kishin aparate “Kajot”, në fillim kishin pasur edhe roulette, por më vonë jo. Tha se kishin bërë lëvizje të aparateve “Kajot” nga një pikë në pikën tjetër, në rast se prisheshin.

Dëshmitari Tolaj tha se për mendimin e tij aparatet kishin pasur licencë, duke shtuar se nuk i kujtohej nëse kishte konfiskim të aparateve në kontrollin e fundit nga ATK-ja dhe se aparatet për të cilat kishin mbajtur shënime, kishin pasur numra serik.

Ndër të tjera, i njëjti tha se në pikat ku ai kishte qenë menaxher nuk kishte bastore, por ai tha se kishte dijeni për bastore “Playing Room 365”, duke shtuar se ishte njoftuar me një person me emrin Burim, që sipas tij ka qenë bastorja e tij dhe se nga Tolaj kishin kërkuar ndihmë.

Në anën tjetër, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Fetaj, avokatit Mahmut Halimi, i njëjti tha se më shumë kishte pasur punë me të akuzuarin Kastrati dhe Haxhija dhe se ndonjëherë ishte konsultuar me të akuzuarin Fetaj.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, dëshmitari Tolaj tha se qëndron pranë të gjithave deklaratave të dhëna më herët në Polici edhe në Prokurori.

Dëshmitari shtoi se me të akuzuarin Fetaj kishte komunikuar vetëm për biznes, duke shtuar se financiarisht ishte barazuar fillimisht me Elvis Kelmendin e më vonë me Behar Nikqin për hyrje-daljet e biznesit.

Sipas dëshmitarit Tolaj, aparatet kishin pasur numra serik dhe se mjetet e fituara apo qarkullimet i kishte dërguar në bankë në llogari të firmës, duke shtuar se bastoret nuk kishin qenë pjesë e pikave por që ishin njoftuar t’iu ndihmonte në lidhje me bastore.

Dëshmitari Tolaj shtoi se nuk ishte në dijeni nëse bastoret ishin pjesë e firmës “EGTK”. Tha se më pas kishte pasur vetëm një bastore dhe lokali kishte qenë në dy pjesë dhe se nuk ishte në dijeni se çka kishte në pjesën tjetër të lokalit.

Ndërsa, theksoi se kishin pasur barazime ditore e jo vetëm mujore me punëtorë, duke shtuar se aparatet kishin barcode të ATK-së dhe kishin numra rëndor dhe në bazë të tyre ishin bërë barazimet.

I njëjti tha se kur ishin prishur aparatet, i kishte njoftuar të akuzuarit Haxhija dhe Kastrati dhe zyrën e kompanisë me shkrim, pasi që një gjë e tillë kishte qenë e obligueshme duke shtuar.

Sipas dëshmitarit, kishte qenë obligim të njoftohet ATK-ja kur aparateve iu kanë ndërruar numrat serik.

Në sesionin e pasdites parashihej të dëgjohej dëshmitari Robert Gojani, mirëpo për shkak kishte probleme shëndetësore, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhija, avokati Granit Vokshi, propozoi që dëshmia e Gojanit të lexohet.

Propozimi i tij nuk u kundërshtu nga palët në procedurë dhe më pas u aprovua nga gjykatësi Kurtaj.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës pritet të mbahet më 25 shtator 2023, siç ishte e paraparë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 maj 2019, që nga muaji shkurt 2015, e deri më 1 dhjetor 2016, të pandehurit Skender Fetaj, si pronar i biznesit “EGTK II” sh.p.k, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija si menaxherë, duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Lojërat e Fatit, i cili ishte në fuqi.

Sipas aktakuzës, këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që edhe pse Skender Fetaj, kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menaxhimin e së cilës bashkëvepronin Arian Kastrati dhe Driton Haxhija, me dijeni dhe dashje të tij kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

Tutje, aktakuza thotë se kanë siguruar numra serik të dublifikuar- falsifikuar të roleteve dhe të aparateve të automateve, e këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme, e kanë krijuar përfitime të kundërligjshme, pasi kanë qenë pa licencë.

Në aktakuzë thuhet që pas organizimit të kontrollit me urdhër të gjykatës, në tri operacione më 22 prill e 23 prill të vitit 2015, 23 prill 2016, dhe në operacionin e 1 dhjetorit 2016, në pikat e “EGTK II”, janë gjetur tre roleta të dubilifikuar – falsifikuar.

Sipas aktakuzës, për këto tri rolete që secila ka nga katër ulëse aktive, nuk është paguar akciza për secilën ulëse nga 420 euro në muaj, që për një muaj është shuma prej 5 mijë e 40 euro, nëse llogaritet për një vit shuma e detyrimit është 60 mijë e 480 euro.

Në aktakuzë thuhet se gjatë aksionit të 1 dhjetorit 2016, janë gjetur 18 aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot” të dublifikuara-falsifikuara, të licencuara në qytete të caktuara e të gjetura në qytete tjera.

Sipas aktakuzës, gjithashtu janë gjetur katër aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot”, të cilët nuk kanë qenë të licencuar në ATK, nga rezulton se për çdo aparat të dublifikuar- falsifikuar dhe të palicencuar, gjithsej 23 aparate në bazë të vendimit të Qeverisë të 22 korrikut 2015, është dashur të paguhet akciza mujore prej 700 euro dhe atë në shumë prej 16 mijë e 100 euro në muaj që nëse llogaritet detyrimi vjetor do të ishte 193 mijë e 200 euro.

Me këtë, aktakuza thotë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253 mijë e 680 euro.

Për këtë, ata akuzohen nga PSRK që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Kurse, të pandehurit Ramadan Latifi, Arian Kastrati, Driton Haxhija dhe Burim Ismajli akuzohen se që nga fillimi i vitit 2016 deri më 1 dhjetor 2016, në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake kanë organizuar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin për Lojëra të Fatit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në njësitë e bastores, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes vete kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me qen” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka me pas kontrolle, si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Kjo thuhet se vërtetohet nga trasnkriptet e bisedave të zhvilluara mes të pandehurve.

Të pandehurit thuhet se po ashtu me dashje dhe qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kanë zhvilluar aktivitete në bastore sportive në pika – njësi të palicencuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë.

Me rastin e kontrollit të këtij biznesi, me urdhër të gjykatës të kryer më 1 dhjetor 2016 thuhet se janë gjetur 16 njësi të palicencuara e sipas Ligjit për Lojëra të Fatit për secilën pikë të re të hapur do të duhej të paguhej shuma prej 5 mijë euro dhe për çdo muaj akciza për një pikë-njësi të bastores shuma prej 840 euro, duke i ikur kështu detyrimit të licencimit fillestar në shumë prej 80 mijë euro dhe akcizës mujore prej 13 mijë e 400 euro.

Me këtë, thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumë prej 93 mijë e 400 euro, e nëse llogaritet se këto pika kanë funksionuar më gjatë se një muaj për të cilat është dashur të paguhet akcizë rrjedh se dëmi është shumë më i madh.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

I akuzuari Ramadan Latifi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, kjo pasi më 1 dhjetor 2016, në shtëpinë e të pandehurit në Gjilan, gjatë kontrollit nga ana e policisë me urdhër të gjykatës janë gjetur një revole, një armë e gjuetisë dhe 435 fishekë të armës së gjuetisë dhe revoles, e të cilat i pandehuri i ka pasur në pronësi dhe posedim në shkelje të ligjit për armët e tilla.

I pandehuri Ramadan Ibishi, thuhet se nga fundi i vitit 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, në cilësi të personit zyrtar, inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material pa autorizim iu ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare.

Këtë thuhet se e ka bërë në përmes telefonit të tij.

Po ashtu sipas aktakuzës, thuhet se i ka njoftuar personat e paautorizuar- menaxherët e kompanive të lojërave të fatit për aksionet e ATK-së, kur dhe ku ata do të dalin në aksion vetëm apo me policinë e Doganën e Kosovës, e duke u dhënë edhe udhëzime që t’i mbyllin lokalet që këta persona do të mund t’iu iknin ndëshkimeve apo masave të tjera ligjore për punën e kundërligjshme të tyre.

Me këtë, akuzohet se ai ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” .

Ndërkaq, i pandehuri Selatin Hoxha, thuhet se që nga viti 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, në cilësi të personit zyrtar, inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material, pa autorizim iu ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit informatat që janë fshehtësisë zyrtare.

Këtë thuhet se e ka bërë përmes telefonave të tij dhe i ka njoftuar menaxherët e kompanive të lojërave të fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektim të lokaleve apo edhe është takuar fizikisht me ta për t’i njoftuar për kontrollet e kryera dhe gjobat e shqiptuara duke iu mundësuar që t’i ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

Me këtë, akuzohet se ai ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Kurse, Fisnik Ibishi që është djali i të akuzuarit Ramadan Ibishi po akuzohet për veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së në ndihmë e lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Fisnik Ibishi, akuzohet se nga fillimi i vitit 2016, me qëllim të përfitimit material me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Ramadan Ibishi, në kryerjen e veprës penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që i pandehuri Ramadan Ibishi, derisa ka qenë në orar të punës, ia ka përcjellë të pandehurit Fisnik Ibishi informatat zyrtare dhe atë se kur dhe ku do të kryhen kontrolle nga inspektorët e ATK-së në bizneset e lojërave të fatit, i cili më pas ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve duke përdorur gjatë njoftimit fjalorin apo zhargonin “jam në qytetin e Gjakovës, jam në Gjilan, Viti, etj, a ke kohë për kafe”.

Thuhet se në këtë mënyrë iu ka dhënë informata se në cilin qytet janë duke dalë kontrollet e ATK-së për inspektim të lokaleve, e duke ia mundësuar kompanive të lojërave të fatit, menaxherëve të tyre që t’i ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

 

Komento: