Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve, dëshmitari i ri jep dëshmi në seancë të mbyllur

08:16 | 16 Shtator 2024
gjykimi-ndaj-thacit-e-te-tjereve,-deshmitari-i-ri-jep-deshmi-ne-seance-te-mbyllur

Sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të vazhdojë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se dëshmitari i radhës do të dëshmojë në një seancë të mbyllur, ndërsa prokurori do të lexojë një përmbledhje të provave të paraqitura.

Trupi Gjykues ka pranuar dëshmitë me shkrim të 9 dëshmitarëve, të cilat janë shoqëruar me prova materiale në çështjen gjyqësore kundër ish-komandantëve të UÇK-së.

Sipas njoftimit nga DHSK-ja, seanca do të fillojë nga ora 09:00.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Komento: