Në seancën e së enjtes është dëgjuar dëshmitarja Majlinda Abdi, e cila deklaroi se, gjatë kohës kur kishte punuar në Doganë, i akuzuari Kadri Mustafa kishte ardhur për të marrë të holla, të cilat ia kishte lënë shefi i saj si porosi.
Sipas aktakuzës, Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli, po akuzohen për krim të organizuar dhe shmangie nga tatimi.
Tutje, dëshmitarja shtoi se këto të holla ia kishte dorëzuar në zarf dhe se nuk e dinte shumën e saktë të tyre.
Pasi u pyet nga prokurorja, Habibe Salihu, se sa shpesh kishte ardhur i akuzuari Mustafa, për të marrë këto të holla, ajo deklaroi se nuk i kujtohej saktësisht.
Lidhur me këtë dëshmi, i akuzuari iu drejtua dëshmitares duke e pyetur nëse është e vërtetë që e kishte parë vetëm katër herë.
“Nuk më kujtohet saktësisht, hetuesia i ka nënshkruar se sa herë ke ardhur”, deklaroi dëshmitarja Abdi.
Në këtë seancë ka dëshmuar edhe dëshmitari Albert Fazlija, pronar i kompanisë “Iliri Kosova Shpk,” e cila merret me shërbime të shitjeve dhe servisimin e pajisjeve të IT-së. Fazlija deklaroi se kishte bashkëpunuar me biznesin “Flaka Com” në vitin 2009.
Tutje, dëshmitari tha se për këtë bashkëpunim kishte angazhuar disa studentë të IT-së, të cilët i kishte gjetur vetë, ndërsa pagesat, rreth 44 mijë euro, ishin kryer nga kompania “Flaka Com” për shërbime të ndryshme.
Dëshmitari tha se ka pasur njohuri se ka qenë në cilësinë e të dyshuarit para se të ngritjen aktakuza dhe se më pas është njoftuar se kanë pushuar hetimet ndaj tij.
Paraprakisht është dëgjuar edhe dëshmitari Shaqir Merovci, i cili tha se djali i Naman Pacollit, Azem Pacolli është pronar i biznesit “Xoni“. Ai shtoi se sipas dokumentacionit janë figuruar të jenë kryer transaksione gjegjësisht të shitjeve fiktive.
Tutje, shtoi se detyrimet tatimore që i ka kjo kompani ndaj ATK-së, është 177, 828.88 borxh aktiv, ku nga ky borxh pasi që kanë kaluar gjashtë vite, nga afati ligjor, shuma prej 163,932.13 euro është falur.
Ndërsa sipas dëshmitarit, për biznesin “Panea“, Azemi kishte autorizuar babain e tij Namanin, që të kryej veprimtarinë e shitblerjes.
“Sa i përket shitblerjeve tek biznesi “Panea“, sipas deklarimeve të pronarit (Azem), por edhe të pandehurit Naman Pacolli, ato janë kryer nga o pandehuri (Namani), të gjitha këto sipas një autorizimit, të dhënë nga pronari i biznesit”, deklaroi dëshmitari Merovci.
Për biznesin “Panea“, detyrime që i ka ATK-së është borxh aktiv 2 mijë e 248 euro, ku nga ky borxh pasi që kanë kaluar gjashtë vite, nga afati ligjor, shuma prej 2 mijë e 25 euro shtë falur.
Avokati Haxhi Millaku, mbrojtësi i të akuzuarit Lorik Jashari, propozoi që të dëgjohet eksperti, i cili kishte përpiluar ekspertizën lidhur me këtë rast. Ky propozim, u aprovua nga kryetari i trupit gjykues e u kundërshtua nga prokurorja Salihu.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, më 25 shkurt 2014, ngriti aktakuzë kundër të akuzuarve Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh.M., Naman Pacolli dhe M.G., të cilët akuzohen për veprat penale “Krim i organizuar” sipas nenit 274, paragrafi 1, lidhur me paragrafët 2 dhe 3 të Kodit Penal, “Shmangia nga tatimi” sipas nenit 249, paragrafët 1 dhe 2 të KPK-së, “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” sipas nenit 236, paragrafët 1 dhe 2 të KPPK-së dhe “Shpërlarje e parave” sipas nenit 32, paragrafët 2.1 dhe 2.3 të LPSHPFT-së.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2007-2011, i akuzuari Lorik Jashari, si drejtues i grupit të organizuar kriminal, ndihmoi në regjistrimin e biznesit “Flaka Com” në emër të Mustafës. Ndërsa për Xh.M. u regjistrua biznesi “Loni Com”, dhe për M.G. biznesi “Yllka Com”.
Prokuroria po pretendon se regjistrimi i këtyre bizneseve u bë me qëllim që të përfshiheshin në aktivitete kriminale, duke përpiluar fatura fiktive për shitblerje të mallrave, duke dëmtuar buxhetin e shtetit për një shumë prej 198 mijë e 707 euro e 17 centë. Aty thuhet se Jashari duke pasur aftësi profesionale për kontabilitet, i ka udhëzuar të pandehurit tjerë fillimisht si të hapet biznesi e pastaj si të veprohet, duke i mësuar me aktivitet kriminal në detaje. Më pas, i akuzuari Jashari u kujdes të sigurojë partnerë afarist shitblerës fiktiv.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, Jashari ndihmoi bizneset e tjera të regjistruara për qëllime kriminale, duke përgatitur në kompjuterin e tij personal fatura fiktive për shitjen dhe blerjen e mallrave. Ai përgatiti 42 fatura fiktive në vlerë prej 368 mijë e 783 euro e 36 centë. Për këtë aktivitetet, i pandehuri Jashari thuhet se përfitoi mjete financiare në vlera të mëdha, nga të cilat ka ndërtuar objekt të lartë afaristo-banesor.
Pastaj, thuhet se nën udhëheqjen e Jasharit janë bërë transfere të shumta të mjeteve financiare mes bizneseve të tyre, duke shkuar në formë rrethore në mënyrë që të humbin gjurmët e rrjedhjes së parave, e po ashtu janë bërë pagesa të shumta në emër të Lorik Jasharit.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Krimi i organizuar” nga neni 274, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal, e në raport me të pandehurin Jashari neni 274, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal lidhur me veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 249, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi” nga neni 236, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Lorik Jashari në vitin 2008, si pronar i kompanisë “Lori”, ndryshoi emrin e saj në “Lorlan” SH.P.K., por që aktivitetin nuk e ka ndërruar përmes këtyre kompanive, por përmes xhirollogarive të tij private. Prokuroria gjithashtu pretendon se ai pranoi para nga të ardhurat e bizneseve fiktive “Flaka Com”, “Loni Com”, “Cini Commerce”, si dhe nga deponimet ‘cash’ me një vlerë prej 678 mijë e 292 euro e 58 centë, si dhe të ardhurat nga shitblerja e banesave në vlerë 324 mijë e 510 euro. Kështu, thuhet se buxheti i shtetit u dëmtua për 149 mijë e 44 euro e 10 centë.
Po ashtu, Jashari akuzohet se ka ndihmuar bizneset tjera që janë regjistruar me qëllim të aktivitetit kriminal “Yllka Com”, “Flaka Com” dhe “Loni Kom”, duke përgatitur fatura fiktive për shitblerje të mallit- për biznesin “Loni Com” në vlerë 48 mijë e 769 euro e 5 centë, “Flaka Com” 285 mijë e 345 euro e 55 centë dhe “Yllka Com” 34 mijë e 668 euro e 76 centë. Gjithsej u përgatitën 42 fatura fiktive në vlerë 368 mijë e 783 euro e 36 centë.
Sipas aktakuzës, Lorik Jashari akuzohet për shpëlarje të parave të fituara përmes aktiviteteve të mësipërme, pasi duke e ditur se ato mjete financiare janë përfituar me aktivitet kriminal, me qëllim të fshehjes dhe maskimit të natyrës së burimit të tyre, ka filluar dhe ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh me vlerë rreth 490 mijë euro. Për këtë arsye, ai akuzohet edhe për veprën penale “Shpëlarje e parave” sipas nenit 32, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.3 të LPSHPFT-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kadri Mustafa nga 18 janari 2007 deri më 31 dhjetor 2011 në cilësinë e pronarit/menaxherit të “Flaka Com”, me qëllim të shmangies nga tatimi, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat e veta apo nuk i përfshin informatat lidhur me të ardhurat e tij, gjendjen ekonomike e të tjera, duke mos i deklaruar të hyrat nga aktiviteti i biznesit në librin e shitblerjes, duke bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 4 mijë e 642 euro e 66 centë.
Po ashtu, Mustafa akuzohet se përmes biznesit “Flaka Com” u ka lëshuar fatura fiktive të shitblerjes partnerëve afaristë në vlerë 6 milionë e 882 mijë e 435 euro e 82 centë, duke dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë 68 mijë e 824 euro e 36 centë dhe në emër të kostos-shpenzimeve fiktive shumën prej 242 mijë e 81 euro e 68 centë. Në bazë të faturave fiktive, thuhet se fitoi 68 mijë e 824 euro e 36 centë.
I pandehuri Xh.M., akuzohej se nga 20 nëntori 2007 deri më 31 dhjetor 2011 në cilësinë e pronarit/menaxherit të biznesit “Loni Com” iu shmang tatimit duke dhënë të dhëna të pavërteta për të ardhurat e veta, kështu duke mos i deklaruar të hyrat nga aktiviteti i biznesit dhe iu shmang tatimit në vlerë 41 mijë e 639 euro e 97 centë. Në total, thuhet se 524 mijë e 472 euro e 75 centë përbënin shitje nga faturat fiktive, të cilat nuk kishin hyrje.
Kurse, i akuzuari Naman Pacolli akuzohet se për faturat fiktive të lëshuara ka realizuar të hyra të kundërligjshme, duke fituar kështu 21 mijë e 494 euro e 78 centë. Gjatë kësaj faze inkriminuese, thuhet se i akuzuari ka importuar në vlerë mbi dy milionë euro, për të cilat importe figuron të jetë borxh në ATK në vlerë prej 193 mijë e 234 euro e 62 centë. Këto aktivitete kriminale, aktakuza thotë se Pacolli i ka kryer në bashkëveprim me të pandehurin Kadri Mustafa.
I pandehuri M.G, akuzohej se nga 19 dhjetori 2007 deri më 31 dhjetor 2021 në cilësinë e pronarit/menaxherit të biznesit “Yllka Com”, me qëllim të shmangies nga tatimi, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat e tij, duke iu shmangur tatimit në vlerë 1 mijë e 230 euro e 96 centë. Po ashtu, akuzohej se ka lëshuar fatura fiktive të shitblerjes për pronarët afaristë në vlerë 1 milion e 788 mijë e 995 euro e 6 centë, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë 112 mijë e 913 euro e 44 centë, e në emër të kostos-shpenzimeve fiktive në shumë prej 98 mijë e 293 euro e 43 centë.
Sipas aktakuzës, në bazë të faturave fiktive mbi shitblerjen, ka fituar 17 mijë e 889 euro e 95 centë. M.G., thuhet se kishte autorizuar të pandehurin Kadri Mustafa t’i ndërmarrë të gjitha veprimet administrativo-juridike, kurse i pandehuri Lorik Jashari kishte përgatitur faturat fiktive në vlerë 34 mijë e 668 euro e 76 centë.
Më 3 mars 2014, Prokuroria Themelore e Prishtinës plotësoi aktakuzën, duke përfshirë pikat 9 dhe 10, sipas të cilave të pandehurit Naman Pacolli i është ndërprerë masa e paraburgimit.
Pacolli akuzohet për veprat penale “Krim i organizuar” sipas nenit 274, paragrafi 1, lidhur me paragrafët 2 dhe 3, dhe “Shmangia nga tatimi” sipas nenit 249, paragrafët 1 dhe 2 të KPK-së. Sipas plotësimit të aktakuzës, gjatë fazës së hetimeve nuk u vërtetua se Pacolli ishte përfshirë në veprën penale “Krim i organizuar”.
Ndaj të akuzuarve Xh.M. dhe M.G., procedura është pushuar pasi ata kanë ndërruar jetë./“Betimi për Drejtësi“.