Gjykimi për krime lufte ndaj Grujica Veljoviq do të zhvillohet në mungesë, Gjykata i thotë të akuzuarit të dorëzohet

16:15 | 16 Mars 2026
gjykimi-per-krime-lufte-ndaj-grujica-veljoviq-do-te-zhvillohet-ne-mungese,-gjykata-i-thote-te-akuzuarit-te-dorezohet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancat shqyrtimit gjyqësor në gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, Grujica Veljoviq.

Gjykimi ndaj tij pritet të zhvillohet në mungesë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton opinionin publik dhe të gjitha mediat se ka caktuar seancat e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.109/24, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – PPS.nr.65/2022 e datës 23.12.2024, kundër të akuzuarit Grujica Veljoviq, me adresë të panjohur të vendbanimit, për shkak të veprës penale Krime të luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krime kundër njerëzimit, nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafët 1.6 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit Grujica Veljoviq, për shkak se i njëjti ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë”, tha gjykata në një komunikatë për media.

Gjykata i bëri thirrje të akuzuarit që të dorëzohet dhe u bëri thirrje qytetarëve që kanë informacione relevante mbi vendndodhjen e tij, që t’i tregojnë Policisë dhe organeve tjera kompetente.

“Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate i bëhet thirrje të akuzuarit Grujica Veljoviq, që të paraqitet dhe të dorëzohet para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarit, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente. Njoftohet i akuzuari dhe i gjithë opinioni publik se seancat e shqyrtimit gjyqësor do të mbahen në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë, Hajvali, me datat 29.04.2026 dhe 30.04.2026, me fillim nga ora 09:30 në sallën D17 nga Kryetari i Trupit Gjykues, Kushtrim Shyti”.

Komento: