Dëshmitari, Uran Ismaili, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka munguar në seancën e së hënës, në gjykimin për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, ku ka qenë i ftuar të dëshmojë për këtë rast në cilësinë e dëshmitarit.
Dëshmitari Ismaili ishte i ftuar edhe në seancën e kaluar, por në mungesë të prokurorit seanca ishte anuluar. Por, Ismaili është njoftuar nga gjykata përmes telefonit për seancën e sotme.
Mungesën e Ismailit e ka arsyetuar avokati i palës së dëmtuar, Armend Krasniqi, i cili ka thënë se ai sot ka pasur të udhëtojë jashtë vendit dhe sipas tij, i njëjti e ka dërguar biletën e udhëtimit si dëshmi.
Seanca për këtë rast është duke vazhduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në seancën e 4 marsit 2022, gati 7 vite prej ngritjes së aktakuzës për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, aktakuza ndaj dy të përfshirëve në këtë rast, Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, është ndryshuar.
Sipas prokurorit Armend Hamiti, nuk është Sherif Krasniqi ai që ka privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, siç përshkruhet në aktakuzën e vitit 2015, por Masar Gërdovci.
“I akuzuari Sherfi Krasniqi fillimisht fjaloset dhe e godet të ndjerin me grushte në prani të mysafirëve të tjerë në lokal i pandehuri Masar Gërdovi nxjerr revolen nga çanta që mbante në krahë, e repetit ia drejton të ndjerit Rr.U. por arma i bllokohet, prapë e tërheq këmbëzën, por revolja sërish nuk shkrep dhe derisa i ndjeri Rr.U. përkulet, i akuzuari Masar fillon të lëvizë në drejtim të daljes nga dera kryesore e lokalit, tani i ndjeri Rr.U. i vihet nga pas të akuzuarit Masar, ndërsa nga pas e kapë duke e goditur i akuzuari Sherif dhe me këtë thellësisht i kontribuon kryerjes së veprës penale. Kështu të tre kacafyten para daljes së lokalit ashtu duke u rrahur me të ndjerin, në momentin kur tani të akuzuarit dhe tani i ndjeri ndodhen në hapësirën e tarracës së përparme, i akuzuari Masar me dashje duke vënë në rrezik jetën e personave të tjerë në lokal ka privuar nga jeta tani të ndjerin duke shkrepur me revole dy-tri herë në distancë afërsisht 1 metër në drejtim të tani të ndjerit, duke i shkaktuar dy plagë tejshkuese”, kishte thënë prokurori Hamiti.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë dy herë aktgjykime dënuese, mirëpo këto aktgjykime ishin anuluar nga instancat më të larta të gjyqësorit.
Së fundi, Gjykata Supreme rastin e ka kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Sherifi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar. / Betimi për Drejtësi