
Gjyqtari Ngadhnjim Arrni është emëruar kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo u bë në mbledhjen e 357 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që u mbajt këtë të premte.
Për mandatin pesë vjeçar, Arrnin mori tetë vota “për”, një abstenim dhe asnjë kundër.
Deri më tani, Arrni ishte shef i Departamentit Special në këtë gjykatë.
Në konkurs ishin tre kandidatë, Alban Ajvazi, Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni.
Kush është Ngadhnjim Arrni?
Ngadhnjim Arrni është gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtari Arrni ka diplomuar në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës në vitin 2014.
Provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2016, ndërsa praktikën profesionale e ka mbajtur në periudhën e viteve 2014-2015 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nga viti 2016 deri më 2017 ka punuar si zyrtar ligjor në Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes programit të USAID – CLE. Gjithashtu në periudhën 2018-2019 ka punuar si Zyrtar i Lartë për Bashkëpunim Profesional në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Me datë 21.01.2019 Ngadhnjim Arrni është emëruar gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari Arrni në janar 2024 është avansuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe me datë 01 shkurt ka filluar punën si gjyqtarë në Departamenti Special, pozitë të cilën ende e mban.
Në mbledhjen e 357-të, ka miratuar tri rregullore, të cilat u konsideruan shumë të rëndësishme për sistemin.
Fillimisht, me asnjë votë kundër, u miratua Rregullorja nr.14/ 2025 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, u miratua edhe Rregullorja nr.15/2025 për Pagesën e Shpenzimeve të Procedurës Penale në gjykatat e Republikës së Kosovës.
Kryetarja e komisionit, anëtarja e KGJK-së, Drita Rexhaj tha se përmes kësaj rregulloreje janë rregulluar të gjitha shpenzimet procedurale në të gjitha gjykatat e vendit. Dhe se për të lehtësuar ekzekutimin e pagesave, tha se kësaj rregulloreje i janë bashkëngjitur 7 formularë.
“Me miratimin e kësaj draft-rregullore përmbyllet në mënyrë përfundimtare çështja e pagesave procedurale”, ka thënë ajo.
Për këtë, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se do ketë efekt të dyfishtë pasi nuk mund të ketë dënime me gjobë më të ulët se shpenzimet.
Veç kësaj, Këshilli miratoi edhe Rregulloren nr.16/2025 për Regjistrat e Personave që ju hiqet zotësia e veprimit, Regjistrin e personave që ju hiqet e drejta prindërore si dhe Regjistrin e Adoptimit.
Rexhaj tha se me këtë rregullore, do të të unifikohet praktika, lëshimi i certifikatave të personave që u është hequr zotësia e veprimit, pasi ka pasur laramani.
Kurse, Zogaj, tha se ky dokument është i rëndësisë se veçantë, pasi flet për kategori të ndjeshme të shoqërisë.
Edhe këto rregullore, Këshilli i miratoi më 9 vota për dhe asnjë kundër.
Po ashtu, Këshilli miratoi edhe Udhëzimin Administrativ nr.04/2025 për Përmbajtjen e Ueb-faqes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatave të Republikës së Kosovës.
Ky UA, sipas Zogajt, parasheh dizajnimin e faqes së gjyqësorit me qëllim të rritjes së transparencës, ndërsa tha se do të promovohet ditëve në vazhdim.
Në këtë mbledhje, Këshilli miratoi planin e trajnimeve për nëpunësit në administratën gjyqësore për vitin 2026, modulet trajnuese për trajnim fillestar dhe modulet trajnuese për trajnim të vazhdueshëm për vitin 2026.