
Konjufca demanton lajmin për reduktim të stafit nëpër ambasada, dikush i hapi llogari të rreme në emër të tij.
Para pak minutave shumë media shpërndanë lajmin se ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, mori vendim që të reduktojë stafin e nëpunësve të ambasadave dhe konsullatave.
Duke iu referuar një statusi të shkruar në rrjetin social thuhej se Konjufca nënshkroi udhëzimin administrativ për reduktimin e nëpunësve të ambasadave dhe konsullatave.
Por, menjëherë pas kësaj, ka reaguar vetë Konjufca i cili ka bërë të ditur se dikush ka hapur llogari të rreme në emër të tij. Ai i ka lutur mediat që ta shpërndajnë këtë njoftim që të mos bijen pre e profileve të rrejshme.
“Të dashur qytetarë, dua t’ju njoftoj se unë nuk kam llogari në twitter, as personale dhe as zyrtare. I lus mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale ta shpërndajnë këtë njoftim dhe të ndihmojnë që publiku i gjerë të mos bjerë pre e profileve të rrejshme, të cilat hapen me qëllime të panjohura”, ka shkruar Kunjufca.
Edhe javën e kaluar një profil i rrejshëm, po me emrin e Glauk Konjufcës, ka bërë një tweet ku njoftonte gjojase për vdekjen e Martti Ahtisaarit.