Sot është mbajtur takimi i radhës në mes të LDK-së dhe VV-së.
Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga posti i kryeministrit në qeverinë e ardhshme. Pas takimit dy orë e gjysmë mes grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Glauk Konjufca nga VV tha se mandatari për kryeministër do të jetë prej subjektit që ka fituar më së shumti vota.
Për përplasjet e fundit të zyrtarë të LDK-së dhe VV-së, Lutfi Hazirit dhe Albulena Haxhiut, Konjufca tha se janë forma të shprehjes politike.
“Tashmë është e qartë dhe sipas rezultateve të KQZ-së, mandatar për kryeministër do t’i përket subjektit i cili ka fituar numër më të madh të votave. Unë mendoj se këtë marrëveshje të nënkuptueshme, kështu që të gjitha këto që i dëgjoni nuk kisha thënë që janë përplasje. Të gjitha këto që kanë dalë, janë forma të shprehjes për mendime të caktuara politike, të cilat as që u trajtuan në këto takime”, thotë Konjufca.
Ndërsa për postet ministrore, Konjufca theksoi se ende nuk është caktuar një takim në të cilën do të diskutohet lidhur me këtë çështje.
Konjufca foli edhe për prezencën e Lutfi Hazirit në takimin e pestë të grupeve punues për harmonizimin e programeve qeverisëse.
“Jam i bindur, sepse isha pjesë e takimit, që kontributi i Lutfi Hazirit ka qenë shumë i nevojshëm në këtë takimin tonë, edhe për mbarëvajtjen e bisedimeve tona. Prandaj, ai i ka kontribuar kësaj atmosfere të mirë të arritjes së pajtueshmërisë tonë sa i përket këtyre dy fushave për të cilat folëm. Jo, ne sot folëm për arsimin dhe shëndetësinë, për këtë jemi mbledhur. Ne ende nuk e kemi caktuar një takim në të cilin do të flitet ndarja e dikastereve. Ne kemi konsideruar që shumë tema të politikës së jashtme dhe për disa projekte që janë madhore në Kosovë, si p.sh, projektet madhore në fushën e energjisë, e kështu me radhë, t’ua lëmë takimeve në nivelin më të lartë, ndoshta drejtpërdrejt me Mustafën dhe Albin Kurti”, theksoi ai.
Për sa i përket takimit të sotëm për shëndetësi dhe arsim, Konjufca tha se kanë pasur përafrim 100 përqind.
“Ka qenë një takim i cili është zhvilluar në një pajtueshmëri dhe atmosferë shumë të thellë të bashkëpunimit. Është njëri prej takimeve, në të cilin kemi pasur pajtueshmërinë më të madhe deri tash. Mund të themi 100 përqind për të temat të cilat i kemi ngritur dhe për të cilat kanë nevojë këto dy fusha esenciale të jetës tonë për shëndetësi dhe arsim, për masat të cilat do t’i arrin në kuadër të qeverisë së re”, tha Konjufca.
Në fund, nënkryetari i VV-së paralajmëroi se për dhjetë ditë ose dy javë, do të përfundojnë negociatat për krijimin e qeverisë së re, raporton KosovaPress.