22 vjeҫarja shtatzënë, u godit nga një kamionetë në Prishtinë.
Si pasojë e kësaj, gruaja humbi foshnjën. E ndaj këtij personi është caktuar masa e ndalimit prej një muaji.
Masën e ndalimit e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zyrtarja për Informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Dje është mbajtur seanca dhe i është caktuar masa e ndalimit prej një muaj”, ka thënë Gashi.
I pandehuri ka shkaktuar aksident me kamionetën e tij të shtunën në orën 12:00 në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë, duke goditur 22-vjeçaren e cila ishte duke ecur në trotuar.
Ndërsa gruaja T.H., 22-vjeçare e cila ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e këtij aksidenti, është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
22-vjeçarja si pasojë e këtij aksidentit ka humbur foshnjën e saj, ndërsa ditën e enjte ajo pritet t’i nënshtrohet një operimi.
Shpend Fazliu, zyrtar për Informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka treguar për Gazetën Insajderi se 22-vjeçarja të enjten do t’i nënshtrohet një operimi në Klinikën e Ortopedisë.
“Zyra për informim ju konfirmon se pacientja ndodhet nën mbikëqyrje intensive të stafit mjekësor të intensives qendrore. E njëjta pritet t’i nënshtrohet ditën e enjte një operacioni në Klinikën e Ortopedisë”, ka thënë Fazliu.