
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një deklaratë zyrtare mbi operacionin e fundjavës, ku u godit një grup kriminal në fushën e mashtrimit të qytetarëve italian dhe europian, përmes call center-ave, duke u paraqitur si kompani për investime në kriptomonedha të ndryshme.
Sipas SPAK, pasi u informuan për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, organizatorët boshatisën ambientet e Call Center-it gjatë natës së 15-16 janarit. Pajisjet u transportuan drejt një ambienti tjetër në godinën “Downtown One”, në bulevardin “Bajram Curri”.
Në njoftim thuhet se gjatë operacionit, janë arrestuar në flagrancë 6 persona me inicialet R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P. dhe O.K., ndërsa për K.K., H.XH. dhe tre shtetas të tjerë, janë lëshuar urdhra ndalimi, pasi dyshohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, ku janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, dokumente, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, një automjet luksoz i markës Ferrari që dyshohet të përkiste organizatorëve të aktivitetit si edhe automjete dhe motomjete të përdorur nga autorët e dyshuar.