Goditje e papritur? Milan në garë për yllin e Manchester United

16:42 | 12 Prill 2026

Një raport i fundit zbulon se Manuel Ugarte është ofruar te disa klube të mëdha italiane nga agjenti i tij, duke rritur gjasat për një transferim gjatë merkatos së verës.

Mesfushori uruguaian nuk është një emër i panjohur për AC Milan. Rossonerët kishin shfaqur interes për të që në kohën kur ai luante te Sporting CP, madje duke zhvilluar edhe bisedime me agjentin e tij të njohur, Jorge Mendes. Megjithatë, në atë kohë marrëveshja nuk u realizua për shkak të çmimit të lartë, përcjell ORAinfo.

Më pas, Ugarte u transferua te Paris Saint-Germain, përpara se të kalonte te Manchester United në vitin 2024. Aktualisht, ai nuk ka gjetur shumë hapësira këtë sezon, duke regjistruar vetëm shtatë ndeshje si titullar dhe 915 minuta në total në 23 paraqitje.

Sipas gazetarit Nicolò Schira, Mendes po punon për një largim të mundshëm gjatë verës dhe i ka ofruar shërbimet e lojtarit disa klubeve italiane, përfshirë Juventus, Napoli dhe Milanin.

Për momentin nuk ka negociata konkrete mes Milanit dhe Manchester United apo me agjentin e lojtarit. Gjithsesi, drejtuesit kuqezi mund ta shqyrtojnë mundësinë nëse kushtet ekonomike bëhen të favorshme.

Megjithatë, prioriteti kryesor i Milanit për merkaton e verës mbetet përforcimi i repartit të mbrojtjes dhe sulmit, duke qenë se mesfusha konsiderohet tashmë e konsoliduar. /ORAinfo/

Komento: