Goncharenko kundër Zelenskyt: Gabim diplomatik, Ukraina duhet ta njohë Kosovën

22:45 | 09 Gusht 2026
goncharenko-kunder-zelenskyt:-gabim-diplomatik,-ukraina-duhet-ta-njohe-kosoven

Deklarata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd për qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës ka shkaktuar reagime edhe brenda vendit të tij.

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka dalë publikisht kundër qëndrimit të shprehur nga presidenti, duke e cilësuar atë si një “gabim diplomatik” dhe duke përsëritur mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës.

Goncharenko, i cili është iniciues i Projektligjit për njohjen e Kosovës në Parlamentin e Ukrainës, reagoi përmes një postimi në rrjetin social “X”, ku publikoi edhe deklaratën e Zelenskyyt se “Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën”.

Ai e bëri të qartë se, sipas tij, qëndrimi i presidentit nuk përfaqëson atë që ai e konsideron si mbështetjen e ukrainasve për Kosovën.

“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina DUHET ta njohë shtetin”, shkroi deputeti ukrainas transmeton Klankosova.tv.

Ai theksoi se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për njohjen e Kosovës nga Ukraina, duke paralajmëruar se do të vazhdojë angazhimin e tij politik për këtë çështje.

“Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, deklaroi ai.

Deklarata e presidentit ukrainas, ka shkaktuar reagime edhe në Kosovë.

Në shenjë pakënaqësie, Komuna e Prishtinës hoqi slloganin “Free Ukraine”, i cili ishte vendosur në mbështetje të Ukrainës pas nisjes së luftës së saj kundër Rusisë.

Komento: