Goran Rakiq: Folëm me Vuçiqin gjithë natën, pasnesër nisim protestën e parë

16:33 | 04 November 2022

Rakiq: Folëm me Vuçiqin gjithë natën, pasnesër nisim protestën e parë.

Krerët e Listës Serbe kanë mbajtur konferencë bashkë me drejtorin e suspenduar të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut. Goran Rakiq thotë se këtë adresim po e bëjnë pasi kanë folur “gjithë natën” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë suspendimi i drejtorit, i cili nuk deshi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortim të qytetarëve me targa ilegale, e ka mbushur kupën.

“Vendimi i Inspektoratit Policor për ta suspenduar drejtorin e Policisë rajonale të Mitrovices Veriut është pika që përmbys kupën dhe kjo mund të themi se bukfalisht është shkatërrim e marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Rakiq, transmeton Gazeta Express.

“Terrori të cilin Prishtina e ushtron këto javë e muaj, jo që nuk duam, por më nuk mundemi ta durojmë dhe këtë e kemi shprehur qartë edhe në takimin me Presidentin Vuciq”, thotë Rakiq.

Kreu i Listës Serbe thotë se do ta shqyrtojnë pozicionin e serbëve në institucione, pas suspendimit të drejtorit.

“Do të takohemi nesër me të gjithë udhëheqësit e institucioneve për të vendosur se si të vazhdojmë tutje. Me të gjithë që udhëheqin institucione, sidomos ata në Veri”, tha ai.

“E ajo çfarë mund të them është se pasnesër në orën 12:00, do të fillojmë me protestën e parë”, ka thënë Rakiq.

Kreu i LS-së thotë se “ajo do të jetë një qëndresë demokratike, politike dhe jo e dhunshme qytetare”.

Në konferencë i pranishëm ishte edhe drejtori i suspenduar, Nenad Gjuriq, i cili tha se do të largohet tërësisht nga Policia e Kosovës.

“Nga sot nuk do të jem pjesë e Policisë së Kosovës, sepse dua ballë të ndritur dhe fytyrë të pasur”, ka thënë Gjuriq.

Komento: