Grabovci reagon ndaj rastit të Kajtazit: Pushteti i katërt (gazetaria), duhet respektuar e çmuar

20:38 | 31 October 2024
grabovci-reagon-ndaj-rastit-te-kajtazit:-pushteti-i-katert-(gazetaria),-duhet-respektuar-e-cmuar

Ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, ka reaguar ndaj rastit të gazetarit Vehbi Kajtazi, të cilit iu gjet sot në veturë, një pajisje përgjimi.

Si figurë në të cilën ishte i përfshirë në investigimet e gazetarit Kajtazi, ai thotë se megjithatë pushteti i katërt (gazetaria), duhet respektuar e çmuar.

”LËRENI GAZETARËT TA BËJNË PUNËN E TYRE

Ndaj shqetësimin me zhvillimet që po ndodhin kohëve të fundit rreth disa gazetarëve, me theks të veçantë rastin e sotëm, me pajisjen e dyshuar përgjuese që u gjend në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi.

E dini mirë, se edhe në të kaluarën këta gazetar kanë bërë punë investigative, sipas vlerësimit dhe përcaktimit të tyre.

Në ketë drejtim, unë kam qenë ndër të atakuarit në vazhdimësi, në shumë mënyra e rrethana, pikërisht nga shkrimet e publikimet e ndryshme të gazetarëve.

Por, asnjëherë, në asnjë rrethanë, nuk kam tentuar për t’i penguar në punën e tyre, pavarësisht se shumë herë thuhej e thurej edhe përtej të së vërtetës. Pra, edhe më pak se gjysmë e vërteta.

Edhe ne, dikur e kishim pushtetin, por i bënim thirrje drejtësisë të na hetojë deri në fund, me të gjitha kapacitetet, duke besuar fuqishëm në drejtësi. Ne kemi ditur edhe të ofrojmë dorëheqje, për të mos i penguar organet e drejtësisë, derisa i kryenin punët e tyre ligjore.

Ajo çfarë po shohim sot, është e dëmshme për vendin.

Pushteti i katërt (gazetaria), duhet respektuar e çmuar! Gazetaria është vlerë e shoqërisë!”.

Komento: