Xhaka kapiten i ri i Zvicrës: Jam krenar që po e përfaqësoj vendin tim.
Granit Xhaka është shprehur krenar që do të jetë në gjendje ta udhëheqë ekipin kombëtar të Zvicrës si kapiten, pasi iu besua shiriti i kapitenit edhe zyrtarisht para takimit me Ukrainën.
Pas pensionimit të Stephan Lichtsteiner, shiriti i kapitenit iu besua mesfushorit shqiptar të Arsenalit, Granit Xhakës, raporton Gazeta Express.
“Jam tejet krenar që jam në gjendje ta përfaqësojë vendin tim. Veçanërisht si kapiten. Ëndrra më e madhe m’u bë realitet”, ka thënë Xhaka.
Xhaka, i lindur në Basel nga prindër shqiptar që kishin ikur nga okupimi serb në vitet 90-ta, do të bëhet shqiptari i parë që emërohet kapiten i Zvicrës.
Derisa Graniti e refuzoi Kombëtaren e Shqipërisë, vëllai i tij, Taulanti, e përfaqëson kombëtaren kuqezi.
Graniti i ka 82 paraqitje për ekipin senior të Zvicrës deri tani, si dhe 12 gola.
Xhaka u ka bërë thirrje tifozëve të Zvicrës ta përkrahin ekipin e tyre kombëtar: “Ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj. Ne duam t’ju bëjmë të lumtur në këtë garë dhe në të ardhmen.”
Zvicra do të përballet me Ukrainën në ndeshjen hapëse të Ligës A në Ligën e Kombeve, sonte në orën 20:45.
Kombëtarja e yjeve shqiptare bën pjesë në Grupin 3, bashkë me Gjermanin dhe Spanjën.