Në Iran, virgjëria para martesës është e rëndësishme për shumë vajza dhe familjet e tyre.
Ndonjëherë burrat kërkojnë një certifikatë virgjërie – një praktikë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e konsideron si kundër të drejtave të njeriut.
Por që nga viti i kaluar, gjithnjë e më shumë njerëz kanë bërë fushatë kundër kësaj praktike, shkruan BBC, transmeton Klankosova.
“Më mashtrove të martohesha me ty sepse nuk je e virgjër. Askush nuk do të martohej me ty nëse do ta dinte të vërtetën”. Kështu i tha burri i Merjemes pasi bënë seks për herë të parë.
Ajo u përpoq ta qetësonte se, edhe pse nuk i rrjedh gjak, ajo nuk kishte kryer kurrë marrëdhënie më parë. Por ai nuk e besoi dhe i kërkoi të merrte një certifikatë virgjërie.
Kjo nuk është e pazakontë në Iran. Pas fejesës, shumë gra shkojnë te mjeku dhe bëjnë një test që vërteton se nuk kanë bërë kurrë seks.
Megjithatë, sipas OBSH-së, testimi i virgjërisë nuk ka asnjë meritë shkencore.
Certifikata e Merjemes thoshte se lloji i himenit të saj ishte “elastik”. Kjo do të thotë se ajo mund të mos rrjedh gjak pas seksit penetrues.
“Më lëndoi krenarinë. Nuk kam bërë asgjë të keqe, por burri im vazhdonte të më ofendonte”, tha ajo.
“Nuk munda të duroja më, kështu që mora disa pilula dhe u përpoqa të vrisja veten”.
Menjëherë, ajo u dërgua në spital dhe mbijetoi.
“Nuk do t’i harroj kurrë ato ditë të errëta. Kam humbur 20 kilogram gjatë asaj kohe.”
Thirrje në rritje për t’i dhënë fund kësaj praktike
Historia e Merjemes është realiteti i shumë grave në Iran. Të qenit e virgjër para martesës është ende vendimtare për shumë vajza dhe familjet e tyre. Është një vlerë që është e rrënjosur thellë në konservatorizmin kulturor.
Por kohët e fundit gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Gratë dhe burrat në të gjithë vendin kanë bërë fushatë për t’i dhënë fund testimit të virgjërisë.
Nëntorin e kaluar, një peticion online mori pothuajse 25,000 nënshkrime brenda një muaji të vetëm. Kjo ishte hera e parë që testimi i virgjërisë po sfidohej hapur nga kaq shumë njerëz në Iran.
Mes tjerash, në Iran ka shumë vajza që i nënshtrohen një ndërhyrje kirurgjikale për të riparuar himenin. Teknikisht, kjo procedurë nuk është e paligjshme – por ka implikime të rrezikshme sociale, spitalet publike nuk e bëjnë këtë ndërhyrje teksa ato privat e bëjnë në mënyrë të fshehtë për një çmim shumë të lartë.