Ish-emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka përdorur gjuhë të ashpër për ta kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, lidhur me vendimin tre-fazësh për çështjen e targave.
Grenell, me anë të një postimi në ‘Twitter’ ka implikuar se, me këtë vendim, Kurti ka kënaqur dëshirat e Rusisë.
“Rusët duhet të jenë të kënaqur me Albin Kurtin”, ka shkruar Grenell në postimin e tij.
Reagimi i Grenell vjen vetëm pak orë pas komunikatës së Departamentit amerikan të Shtetit, të cilët u shprehën të pakënaqur me Qeverinë e Kosovës për çështjen e targave. Këta të fundit kërkuan distancim nga “retorikat inflamatore” dhe të përqëndrohen në arritjen e një marrëveshjeje që ka në mes njohjen reciproke.
“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ned Price, zëdhënës i DASH-it.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon njoftimi.
Vendimi që ka marrë Qeveria për targat është me tri faza, ku në fazën e parë që pritet të zgjasë nga 21 nëntori deri më 21 janar, do të jetë qortuese. Ndërkaq, nga 21 janari deri më 21 prill qytetarët serbë që nuk konvertojnë targat do të gjobiten me nga 150 euro. Që nga 21 prilli, synohen të largohen totalisht targat ilegale dhe të qarkullojnë vetëm veturat me targat RKS.