
Richard Grenell nesër vjen në Kosovë, takohet me presidentin Hashim Thaçi.
I dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, nesër do të vijë në Kosovë.
Vizitën e Grenellin në Kosovë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të ambasadës amerikane, të cilët kanë thënë se pas Kosovës, ai do ta vizitojë edhe Serbinë.
Një takim ndërmjet Grenellit dhe presidentit Hashim Thaçi është paraparë të ndodhë nesër.
Të premten, Grenell do të jetë në Beograd për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Vizita e Grenellit në Kosovë dhe Serbi vjen disa ditë pasi ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy palëve me kompaninë gjermane “Lufthansa“ për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.
Ambasadori amerikan Grenell ka qëndruar në Kosovë në tetorin e vitit 2019, kur është takuar me Thaçin si dhe me liderët e tjerë politikë në Kosovë. Nga presidenca e Kosovës, patën thënë aso kohe se Grenell ka deklaruar që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vendosë bazën për zhvillim ekonomik dhe do t’i kontribuojë mirëqenies së gjithë qytetarëve.
Në bisedimet me Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatarin për qeverinë e re, Grenell pati theksuar se mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pengesa kryesore për investimet e huaja në ekonominë e Kosovës.